Ikra, lexo, është një urdhër hyjnor; është një dhënie detyre dhe një ftesë për njeriun me qëllim për t’u bërë partner i përsosmërisë së pafundme dhe përgjegjës për arritjen e saj.
Kjo gjithësi që do të vëzhgohet, që do t’i kuptohet përmbajtja dhe domethënia dhe, duke iu kuptuar, do të na japë mundësi ta njohim madhështinë e fuqisë dhe rregullit të zbatuar nga Krijuesi, bukurinë dhe shkëlqimin e Tij, është një shfaqje dhe reflektim i Tabelës së Kujtesës!
Çdo qenie e gjallë e jo e gjallë është një libër. Eshtë për këtë arsye që urdhri hyjnor është dhënë në formën lexo! e jo shih e vëzhgo! sepse libri vetëm lexohet! Gjithsesi, kjo gjithësi vitale e mbushur plot qenie, secila një libër më vete, është një bibliotekë hyjnore. Ndërsa të gjitha qeniet veç njeriut kanë përgjegjësi të shkruajnë (veprat e tyre), njeriu është nderuar, veç shkrimit, me privilegjin e leximit!
Dituria përbëhet nga njohja e marrëdhënieve të ndërsjellta mes rregullsisë dhe harmonisë në natyrë dhe gjërave që shfaqen në forma të ndryshme si dhe nga klasifikimi dhe sistematizimi i tyre. Rregullsia dhe harmonia në gjithësi, ndjeshmëria dhe ekuilibri esencial në të kurrsesi s’mund t’u lihen rastësive. Për rrjedhojë, një rregullsi dhe harmoni e tillë ka strukturuesin dhe ekzekutuesin e saj, një strukturues dhe ekzekutues me qenien më evidente se çdo qenie tjetër.
Çdo rregull, para se të parashtrohet, në fillim përfytyrohet e projektohet krejt siç përfytyrohet e projektohet një plan ndërtimi në kokën e inxhinierit para se të hidhet duke u vizatuar në letër. Tjetër gjë se si mundet ta bëjnë këtë struktura dhe mendimi opak dhe i turbulluar i njeriut! Nëse kjo rregullsi në përmasa universale është Tabela e Kujtesës, rregullsia e restriktuar, e kufizuar në përmasa konkrete, është Kur’ani, pasqyra e Tabelës së Kujtesës.
Kështu, pra, njeriu do ta lexojë këtë, duke lexuar, do të përpiqet të kuptojë, kohë më kohë do të kuptojë gabim, do të bëjë gabime, do të fitojë përvojë; mineralit të diturisë që e kaloi nëpër potën mirë-keq, do t’i përftojë bindje dhe besueshmëri, saktësi dhe siguri. Tjetër gjë është të shohësh, tjetër, të vëresh; tjetër gjë është të kuptosh, tjetër, ta përvetësosh me vetëdije dhe zemër atë që e kuptove dhe, pas gjithë kësaj, është krejt tjetër ta praktikosh, ta vësh në zbatim dhe t’ua dorëzosh të tjerëve!
Sigurisht, të gjitha këto tjetër që kanë të bëjnë me njohjen, janë në veprim të vazhdueshëm, sepse në gjithësi ka shumë ligje që kanë të bëjnë me procesin e njohjes, të cilat Ligjvënësi i vë në veprim brenda një harmonie të jashtëzakonshme.
Njeriu është i varur nga të gjitha këto ligje. Prandaj ndodh që ka shumë njerëz dhe mes njerëzve ka të ngjashëm, të ndryshëm dhe të kundërt. Po kështu, ndodh që mes njerëzve të ketë të tillë me ide, mendime, pikëpamje, bindje, besime, sjellje dhe veprime të ngjashme, të ndryshme a të kundërta. Ndërkaq, të gjitha këto ndryshime dhe kundërshti të natyrshme, të rrjedhura nga krijimi, nuk ekzistojnë në mënyrë të pakuptimtë dhe pasive, por brenda një ekuilibri të gjallë dhe aktiv.
Prandaj, të jesh musliman, do të thotë të jesh, në një pamje, më i vështirë e më përgjegjës se të tjerët, por edhe po aq delikat dhe i lartë, sepse, krahas respektimit të parimeve shoqërore, kërkohen dashuria dhe mirëkuptimi, dhembshuria dhe butësia, krahas durimit dhe tolerancës, kërkohen dijeni, vullnet, urtësi, ekuilibër, aftësi sintetizuese e sendërtuese.
Eshtë si rrjedhojë e kësaj që, për shërbimin që i bëjnë zbulimet në fushat e shkencave të tilla si fizika, kimia, astronomia e biologjia si dhe zhvillimi i arritur kuptimit dhe njohjes së gjerë të disa parimeve të projektuara në Tabelën e Kujtesës, të shënuara në Kur’an dhe të shfaqura vende-vende dhe njëra pas tjetrës në gjithësi, të gjithë zbuluesit dhe ndikimi i tyre duhen miratuar dhe përgëzuar.
Po qe se dukurive fizike, kimike dhe biologjike nuk u jepen orientime të reja në përputhje me vëzhgimet dhe eksperimentet në laboratoret e fizikës dhe kimisë dhe me ligjet e mësuara, ekziston mundësia që, për shkak të guximit dhe subjektivizmit të dedikuar suksesit të krijimit, një guxim dhe subjektivizëm që bëhet gjithnjë e më i padurueshëm, gjithnjë e më i nxituar, gjithnjë e më i paturpshëm e më i papërgjegjshëm, të humbet gjithçka, përfshirë vetë njeriun dhe shoqërinë. Nuk duhet të harrojmë se njeriu nuk është kafshë laboratori dhe shoqëria njerëzore, laborator!
Shpëtimi i shkencave ekzistuese nga stanjacioni dhe ngrirja, nga thatësia dhe absurditeti, së pari do të ndihmonte në njohjen ashtu siç duhet të çështjeve që përbëjnë parime për shkencat, së dyti, do të bënte që të vëzhgoheshin, me anë të një vëzhgimi të brendshëm, çështjet që i përkasin vullnetit dhe mendjes së njeriut, ndjenjave dhe parandjenjave të tij. Dhe, atëherë, një subjekt i ndriçuar që funksionon, do të bëhet një gjuhë krejt e qartë dhe elokuente dhe njeriu do ta lexojë fjalë për fjalë gjithësinë që i është vënë përpara, krejt si një libër. Fundja, as që është e mundur ta shohësh gjithësinë të ndryshme nga një libër!
Por ç’e do se kjo çështje nuk është aq e lehtë sa ç’pandehet! Edhe sikur të bëhet fjalë vetëm për një ndijim a për një shikim të saktë në raport me saktësinë e shqisave të jashtme e të brendshme ndaj akteve dhe dukurive, defekti në njërën prej këtyre shqisave do t’ua reduktojë në një masë të madhe ndikimin edhe të tjerave.
Prandaj në Deklaratën-Mrekulli Kur’an, verbëria, shurdhëria dhe memecëria përmenden së bashku. Sepse, ashtu siç urdhrat e krijimit lexohen me sy, ekrani enigmatik ku do të gjejnë reflektim së pari urdhrat e zbritur, është veshi. Kurse gjuha është interpreti i këtij vëzhgimi dhe dëgjimi!
Për rrjedhojë, ai që nuk e sheh dot objektiven dhe subjektiven, nuk do ta dëgjojë dot as atë që i vjen në vesh; edhe sikur ta dëgjojë, nuk do ta kuptojë. Po kështu, zemra e pandjeshme ndaj urdhrave hyjnorë që përplasen në vesh, nuk do ta shpëtojë dot veten nga preokupimi absurd me Ligjet e Krijimit.
Kjo do të thotë se lexo është shprehje e një integrimi në të tërën, e një vëzhgimi dhe vlerësimi, e një shikimi dhe, pranë tij, e një parandjenje dhe, pastaj, shprehje e përdorimit të gjuhës si interprete e këtyre tri kulturave. Dhe sa kuptimplot është fakti që lexo është për ne urdhri i parë!
/Drita Islame/