Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, konfirmoi në një konferencë për shtyp se Lorik Cana është tërhequr nga kombëtarja. “Cana nuk është grumbulluar për ndeshjet e ardhshme pasi është tërhequr”, tha De Biasi.
“Europiani ishte ëndrra e Canës. Luajti me Zvicrën dhe një pjesë të ndeshjes me Rumaninë. E mbylli me festë dhe mendoj se meriton një duartrokitje të madhe nga të gjithë ne”, tha trajneri për Canën.
Kur u pyet në lidhje me largimin e lojtarëve kosovarë nga kuqezinjtë për të luajtur me Kosovën, trajneri italian deklaroi se nuk bëhet fjalë për eksod: “Nuk shoh asnjë eksod. Kanë ikur ata që erdhën në Austri dhe mbase u zhgënjyen shumë që nuk i morëm në Francë dhe kanë ikur lojtarë si Meha që kishte kohë që nuk ishte më pjesë e kombëtares. Nuk ka eksod, ka lojtarë kosovarë që luajnë për Kosovën”.