Dekorohen familjet që strehuan hebrenjtë, Veliaj: Ndërtojmë institucionin e mirënjohjes

 

veliaj-nderon-tiranasit

Bashkia e Tiranës vlerësoi mikpritjen e familjeve tiranase që strehuan në shtëpitë e tyre familjet izraelite, gjatë Luftës së II Botërore. Ceremonia u mbajt në mjediset e Muzeut Kombëtar, ku u çel edhe një ekspozitë me fotografi të familjeve izraelite që u strehuan në Tiranë.

Krybashkiaku Erion Veliaj iu dorëzoi nëntë familjeve mikpritëse simbolin e qytetit të Tiranës në shenjë vlerësimi ndaj gjestit të tyre. Po ashtu Veliaj dekoroi me medalje edhe dy shkrimtarë që kanë shkruar rreth familjeve izraelite.

Dekorimi përkon me aktivitetet përkujtimore të ditës së Çlirimit të Tiranës. Veliaj tha se kujtimi i historisë vlen për të marrë mësime dhe për të ndërtuar institucionin e mirënjohjes. Sipas tij ky shembull i dashamirësisë për të tjerët është shumë i nevojshëm sot, kur në botë ka shumë urrejtje.

“Sot jetojmë në një kohë ku kemi shumë urrejtje dhe sot kemi politika që investohen në politikën e urrejtjes, në dhunë ndaj tjetrit që duket ndryshe, që beson ndryshe, që flet ndryshe, që ka lindur ndryshe, që e ka emrin ndryshe, që i falet një zoti tjetër. Në ditët e sotme, duhet të kuptojmë se ditët më të errëta të njerëzimit, por edhe të kombit tonë, ishin ato ditë kur i nxirrnim sytë njëri-tjetrit për të treguar diferencën, ndërkohë ditët më të lavdishme kanë qenë ato ditë kur kemi punuar bashkë për gjërat që na bashkojnë dhe për gjërat që i kemi të ngjashme”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës përmendi edhe ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit, në të cilën fokusi ishte më shumë tek shmangia e incidenteve se sa fitorja. Veliaj tha se duhet kuptuar që gjërat që na bashkojnë janë shumë më të forta se ato që na ndajnë.

“Nga mikpritja që u bë në Shqipëri, mënyra se si kryetari i Komunitetit Mysliman doli nga rutina dhe komunikimi i zakonshëm për t’u siguruar që ekipi ishte i mirëpritur, dëshmon se përtej disa përballjeve në sport, ekziston një fije shumë e fortë që na lidh fort. Ky lloj konfirmimi, në fakt më inkurajon shumë sepse kuptoj që lidhjet, gjërat që na bëjnë bashkë, janë shumë herë më të forta”, tha ai.

 

Pin It