Dëmshpërblimet, rihapen aplikimet për ish-të përndjekurit

klosi-1

Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë do të rihapë aplikimet për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Lajmi u bë i ditur nga ministri Blendi Klosi, gjatë një takimi me ish-grevistë dhe familjarë të Lirak Bejkos, grevistit që humbi jetër katër vjet më parë gjatë grevës për mohimin e të drejtës së dëmshpërblimit financiar.

Klosi tha se ligji do iu japë mundësinë gjithë ish-të dënuarve që jetojnë, por që nuk arritën të aplikonin në kohë.

“Ndaj kemi propozuar në ndryshimet e reja ligjore përfshirjen për herë të parë në skemën e dëmshpërblimit, të të gjithë atyre ish të dënuarve që kanë vuajtur vetë dënimin, e që janë gjallë, por që nuk arritën të aplikonin në kohë në 2009, duke humbur në këtë mënyrë të drejtën e dëmshpërblimit. Ne propozojmë që ata ta rifitojnë këtë të drejtë, duke hapur të drejtën për riaplikim dhe duke marrë të drejtën e përfitimit”, theksoi Klosi.

Sipas tij pushteti i djeshëm u tregua indiferent ndaj shtresës së ish-të përndjekurve, duke iu mohuar për vite me radhë shpërblimin financiar. Klosi tha se qeveria tani po mban premtimin e saj për përmbylljen e procesit përmes shpërndarjes deri tani të katër kësteve brenda tre vjetëve.

“Më lejoni të shpreh kënaqësinë time që sot kemi mbërritur në këstin e 6-shtë, dëmshpërblim që është lëvruar tashmë për 1100 nga 2400 përfitues të kësaj kategorie”, tha ai.

Pin It