“Dhuro dije”, Zyra e Gruas dhuron libra në burgun e grave

11212641_10205762484727002_2061674822576302887_o

Zyra e Gruas në Komunitetin Mysliman ka dhuruar në sasi prej 250 librash, revistash dhe kalendarësh në burgun e Ali Demit në Tiranë.

Librat janë dhuruar, pas kërkesës që vetë gratë që vuajnë dënimin në këtë institucion kanë bërë, për të marrë njohuri më të shumta rreth fesë islame.

Gjatë aktivitetit të dhurimit dhe shpërndarjes së librave, përfaqësuesja e Zyrës së Gruas znj. Nadia Lika, mbajti edhe një ligjëratë duke u fokusuar te dobitë që ka libri dhe leximi dhe rëndësinë që islami i kushton marrjes së njohurive.

“Lexo me Emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi”. Me këtë fjalë Allahu (xh.sh) e ka filluar shpalljen e Tij në kohën kur bota ishte në errësirën më të thellë të injorancës dhe analfabetizmit. E ka filluar shpalljen e Tij me fjalën LEXO për t’iu treguar se rruga e rilindjes, ngritjes, përparimit, fuqisë dhe krenarisë fillon me diturinë, pastaj në bazë të diturisë vjen edhe puna dhe vepra”, u shpreh znj. Lika.

Ajo shtoi më tej se nuk ka shembull më të mirë dhe më të qartë, për të kuptuar rëndësinë dhe vlerën që ka ditura në ndryshimin e popujve se sa historia e njerëzve, të cilët me pranimin e fesë Islame, me bindje dhe duke ecur në rrugën e mësimeve të Kur’anit u shndërruan në njerëzit më të dobishëm, më të vlefshëm dhe më edukuar në botë.

Ndërkohë, Zyra e Gruas, njëherë në javë zhvillon takime me gratë që vuajnë dënimin në burgun e Ali Demit, ku trajtohen çështje të ndryshme fetare dhe sociale.

Pin It