Divjaka nis turizmin e vëzhgimit të shpendëve ujorë

 

Divjaka, një nga parqet natyrore më të vizituara për turizmin e vëzhgimit, rifillon sezonin e ri turistik me vëzhgimin e shpendëve ujorë.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve apo kafshëve të egra, tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Shembulli më domethënës për këtë është Parku Kombëtar i Divjakës, ku çdo fundjavë me dhjetra vizitorë vendas e të huaj vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që kanë zbritur kohët e fundit dhe vazhdojnë të zbresin në këtë park të mbrojtur më së miri.

Objektivi kryesor është Pelikani Kaçurrel, por jo vetëm janë edhe shpendë të tjerë si flamingot që gjallojnë në strugat e ëmbla, rosat e egra, çafkat, karabullakët etj që kanë pushtuar lagunën dhe strugat rreth saj.

Pas një bisede me drejtorin e administratës së Zonave të Mbrojtura të Qarkut të Fierit, z.Ardian Koçi që mbulon dhe Parkun Divjakë-Karavasta u zbulua se nga janari i këtij viti e deri më tani në këtë park janë futur rreth 383.000 vizitor vendas dhe të huaj.

Z.Koçi tha se sipas statistikave të administratës sonë, janë futur në park 356 mijë shqiptar nga të cilët 20443 janë shoqëruar në guidat e tyre turistike në ambientet e parkut nga specialistët tanë të natyrës.

Ndërsa turistë të ardhur nga vend të tjera evropiane apo edhe më larg, numërohen rreth 27 mijë nga të cilët 3824 janë shoqëruar nga punonjësit e parkut.

Vendet më të preferuara kanë qenë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku mbretëron Pelikani.

“Jemi në prag të sezonit kur kthehen shpendët migrator dhe laguna do të marrë një pamje mjaft spetakolare, ndaj edhe vizitorët e tyre do të jenë më shumë” tha ai.

Tashmë vizitorët nuk janë kurioz të shlodhen në bregdet apo të shëtisin në pyllin e veçantë me pisha të buta, të shijojnë peshkun apo ngjalat e shijshme të Kënetës së Karavastasë, por ata mund të vëzhgojnë edhe shpendë të ndryshëm në jetën e tyre të egër.

Zbatimi i moratoriumit për ndalimin e gjuetisë, në këtë zonë ka sjellë një rigjallërim të faunës së egër.

Flamingot dhe pelikanët kaçurrelë që popullojnë lagunën e Karavastasë kanë tërhequr edhe vëmendjen e mediave botërore me reportazhet e tyre të shumta për jetën e egër në këtë park. Divjaka është një mbretëri natyrore që mund të vizitohet në çdo ditë të vitit. / ATA/

 

 

 

Pin It