Dokufest në Prizren, 238 filma për ti thënë Jo korrupsionit

DOKU

Dokufest do të mbahet nga data 5 deri 13 gusht në Prizren. Organizatorët sot kanë shpallur programin e filmave për edicionin e 15-të, duke theksuar se “janë bërë përzgjedhje nga një numër rekord aplikimesh”.

Festivali do të prezantojë 238 filma nga 57 vende në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale.

Përzgjedhja e këtij viti përfshinë një numër të madh të filmave dokumentarë, të filmave të shkurtër dhe eksperimentalë, të cilët do të shfaqen në kinematë e njohur të Prizrenit.

Korrupsioni është tema qendrore e festivalit të këtij viti, konteksti social lokal dhe global si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe eksplorohen përmes një numri të eventeve, përfshirë panele, diskutime me filmbërës dhe eskpertë të ftuar ndërkombëtar dhe lokal, punëtori dhe konferencë të teknologjisë. Veton Nurkollari, drejtori artistik i DokuFest pohon se “Përzgjedhja e filmave që fokusohet në çështjen e Korrupsionit si dhe dy fenomeneve që shkojnë bashkë me të, Fuqisë dhe Rrenave, është kuruar posaçërisht për të përkuar me temën.”. Dokufest do t’i bëjë homazh mjeshtrit të madh të kinemasë iraniane dhe të botës Abbas Kiarostami, i cili vdiq më 22 korrik të këtij viti, me shfaqjen e filmit të tij ikonik Taste of Cherry. Festivali poashtu do t’i bëjë homazh edhe Chantal Akerman, një tjetër mjeshtër i kinemasë që ndërroi jetë vitin e kaluar.

Filmat e shkurtër të nominuar për Oscar, filma për internet, për sulme masive me armë në SHBA, për një shkëmb të vetëvrasjeve në Japoni si dhe gjendjen e refugjatëve të cilët përpiqen të arrijnë Evropën janë të gjitha pjesë e programit të edicionit jubilar të këtij viti.

“DokuFest po feston edicionin e tij të 15-të me një program eklektik të filmave. Ne shpresojmë që ata do t’ju mahnisin, emocionojnë dhe befasojnë aq sa edhe neve”, tha Veton Nurkollari, drejtori artistik i festivalit.

Pin It