Drita e vazhdueshme, Abdullah ibn Mes’udi (r.a)…

Abdullah Ibn Mes’udi (r.a) ishte mesatar, flokëgjatë, zeshkan dhe i dobët. Që në moshë të njomë, ka qenë bariu i kopesë së njërit prej parisë së fisit të Kurejshëve, Ukbe ibn Muajtit. Ai e kishte zakon të largohej me kopenë e Ukbes herët në mëngjes dhe kthehej vonë kur binte nata. Për këtë arsye edhe pse kishte dëgjuar për Profetin e fundit dhe fenë e re, ai nuk i kishte dhënë rëndësi.
Një ditë teksa po kujdesej për kopenë, Abdullahu ibn Mesudi (r.a) vuri re dy burra në moshë të mesme me qëndrim dinjitoz dhe shumë fisnikë, te cilët po vinin drejt tij. Pasi iu afruan, ata e përshëndeten dhe i thanë:
-“Djalosh, jemi shumë të lodhur dhe të etur, a e mjel një dele për ne?”
-“Nuk mundem”, – i përgjigjet Abdullahu (r.a). -“Delet nuk janë te miat. Unë jam përgjegjës vetëm për kujdesin e tyre.”
Dy burrat ishin profeti Muhamed(s.a.s) dhe shoku i tij, Ebu Bekri (r.a). Profeti i nderuar (s.a.s) kërkon që t’i japë një dele që nuk kishte lindur asnjëherë dhe fillon e mjel. Djaloshi habitet shumë nga ajo që sheh dhe kur mëson se kush ishin ata, pranon Islamin.

Kur Abdullah Ibn Mes’udi (r.a) pranoi Islamin, i ofroi Profetit të ishte nën shërbimin e tij. Profeti pranoi dhe që nga ajo ditë ai braktisi kujdesin ndaj kopesë së dhenëve duke iu përkushtuar totalisht Profetit (s.a.s) dhe shërbimit ndaj fesë. Ai ishte i gjashti në radhën e njerëzve te cilët pranuan Islamin dhe qëndroi shume i lidhur me Profetin. Ai kujdesej për nevojat e tij si brenda ashtu edhe jashtë shtëpisë. Ai e ka shoqëruar Profetin gjatë udhëtimeve dhe ekspeditave dhe e zgjonte atë kur vinte koha e adhurimit , gjithashtu i mbante dhe sendet personale të tij, siç ishte misvaku. Për këtë arsye sahabët e quanin atë Sahabe-Sivak (bartës i misvakut).

Abdullah Ibn Mes’ud ishte më i afërti me Profetin për nga karakteri. Disa herë ai edhe ngatërrohej duke u cilësuar si një prej pjesëtarëve të familjes së bekuar të Profetit (s.a.s).
Ai ishte cilësuar si sahabja që lexonte Kur’anin më bukur prej të gjithëve. Për të ka thënë Profeti (s.a.s): -“Kush dëshiron të lexojë (mësojë) Kur’anin ashtu siç është zbritur, le të marrë këndimin nga Ibni Mes’udi.” Në një tjetër hadith Profeti (s.a.s) ka thëne:
-“Mësojeni Ku’ranin prej katër njerëzve, Abdullah Ibn Mes’udit, Selim Maula Abi Huzeife, Ubej Ibn Kab dhe Muadh Ibn Xhebeli.” Profeti (s.a.s) gjithashtu ka thënë: -“Lexojeni Ku’ranin në të njëjtën mënyrë siç ua mëson Abdullah Ibn Mes’udi.”

Abdullah ibn Mes’ud përmbahej në tregimin e haditheve nga frika se mos bënte ndonjë gabim. Megjithatë kur ai tregonte një hadith, ishte shumë i përpiktë dhe i saktë në atë që i atribuohej Profetit (s.a.s). Ai ishte i pari i cili recitoi me zë te larte Kur’anin para një grupi të Kurejshëve. Ai bëri hixhret (emigroi) 3 herë: 2 herë në Etiopi dhe një herë në Medine. Në kohën kur hz. Omer ishte kalif, e dërgoi atë në Kufe në mënyrë që t’i edukonte njerëzit me fenë Islame, si dhe të kishte në përgjegjësi Bejtul Malin (institucionin financiar i Kalifatit). Kur Omeri caktoi pagat për sahabët, ai caktoi pagë edhe për Abdullahun. Ai refuzoi dhe tha: -“Pse po përpiqesh të më kthesh mua në këtë botë?”

Kjo tregon thjeshtësinë dhe devotshmërinë e tij ndaj kauzës së tij për t’i shërbyer fesë Islame, të cilës i përkushtoi gjithë jetën. Abdullah ibn Mes’udi (r.a) ndërroi jetë duke e pasur gjuhën të njomë nga përkujtimi i Allahut dhe recitimi i vargjeve të Librit të Tij, në vitin 33 apo 34 pas hixhretit.

Pin It