Bereqeti i një gote qumështi!…

 

Tregon Hz. Ebu Hurejre (r.a): “Një ditë isha shumë i uritur dhe u ula në një rrugë në të cilin kalonin sahabet dhe po prisja. Pas pak kaloi Ebu Bekri të cilin e pyeta për një ajet me qëllim që të kuptonte që isha i uritur e të më merrte në shtëpinë e tij si mysafir, por ai s’e kuptoi qëllimin tim. Pas pak kaloi Omeri, veprova njësoj, por as ai nuk më kuptoi.

Nuk kaloi shumë dhe aty pranë erdhi i Dërguari i Allahut, i cili e kuptoi direkt gjendjen time dhe më tha ta ndiqja pas. Kur hyra brenda në shtëpinë e tij, pashë pak qumësht në një enë e cila i kishte ardhur si dhuratë Profetit. I Dërguari i Zotit më tha që të shkoja të ftoja dhe Ashabe-i Suffe të cilët s’kishin familje dhe pasuri e  ishin mysafirë të myslimanëve. I Dërguarit i Allahut nga dhuratat që merrte, një pjesë e ndante për ta. Ndërkohë unë po i mbaja sytë ende tek qumështi me shpresën se do përfitoja diçka, por pasi më tha i Dërguari i Zotit kështu, pata frikë se nuk do mbeste më asgjë për mua, por s’munda t’ia ktheja mbrapsht fjalën të Dërguarit të Zotit.

Pasi shkova tek ata, i ftova që të vinin tek shtëpia e të Dërguarit të Allahut dhe ata pranuan. Hynë brenda pasi kërkuan leje dhe u ulën pranë të Dërguarit. Me urdhërin e të Dërguarit të Zotit fillova t’ua jepja një nga një enën(gotën) e qumështit secilit prej tyre. Të ftuarit filluan ta kalonin gotën dorë më dorë derisa më në fund, gota shkoi në dorë të të Dërguarit të Allahut. E mori gotën në të cilën kishte mbetur dhe shumë pak qumësht dhe duke më parë me buzëqeshje më tha:

-O Ebu Hirr! Mbetëm vetëm ne të dy.

-Të drejtën the o i Dërguari i Allahut, ashtu është, -i thashë unë.

-Ulu e pi dhe ti, -më tha.

Pasi u ula e piva, më tha të pija sërish, e sërish duke vazhduar kështu disa herë derisa më në fund i thashë:

-Betohem për Allahun që të ka dërguar si Profeti i drejtësisë, që nuk mundem të pi më asnjë gllënjkë, se s’më ka mbetur më vend.

– Nëse është kështu, atëherë ma jep mua gotën, -më tha.

Dhe pasi ia dhashë, pjesën e mbetur e piu Ai.”

Ahmed İbn Hanbel ( Bejrut–1997 ), Hd . 10679; İbn Kethîr: el-Bidaje ue’n–Nihaje, 6/479 – 80.

 

Pin It