Boza është pije e ëmbël që prodhohet nga mielli i misrit dhe njihet ndër vendet e Ballkanit si një pije me vlera ushqyese. Boza shqiptare është më e verdhë dhe më e ëmbël se llojet e tjera të bozave që prodhohen në Ballkan e në vende të tjera.
Boza përgatitet në këtë menyrë:
- 500 g miell misri,
• 5 litra ujë të vakët,
• 20 g tharmë (maja) buke
• 500 g sheqerPërgatitja:
Në një enë (tenxhere) matet mielli, hidhet uji i vakët dhe lihet të qëndrojë disa orë (më së miri është të përgatitet në mbrëmje).
Pas qëndrimit, tenxherja vihet në zjarr të mesëm dhe zihet rreth dy orë. Përzihet here pas here, me një garuzhdë.Mielli i zier pastaj hiqet nga zjarri dhe lihet të ftohet.
Ndërkohë përgatitet tharmi, përzihet me dy decilitra ujë të vakët dhe hidhet në miellin e zier.
Përzihet mirë dhe lihet ashtu.
Në mëngjes, ditën e dytë, lëngu kullohet me një napë të bardhë.
Bozës i shtohet sheqer sipas shijes, ftohet mirë dhe shërbehet me pak akull.
Boza e përgatitur kështu është më mirë të konsumohet për dy-tri ditë, sepse pas kësaj kohe, mund të marrë shije shumë të thartë.
Vlerat e bozës
Boza ka disa dobi për shëndetin, siç janë: normalizimi i tensionit të gjakut, rritja e prodhimit të qumështit tek gratë që sapo kanë lindur dhe kanë fëmijë në gji dhe ndihmon në tretjen e ushqimit në stomak. Boza është një ushqim i vlefshëm për njerëzit që merren me aktivitete fizike, pasi përmban vitamina A, C, E dhe katër lloje vitamine B.