“Eho”, filmi i kineastit Kosovar Dren Zherka vlerësohet me çmim në Festivalin e Montrealit

image description

Filmi “Eho” i kineastit kosovar Dren Zherka u vlerësua me çmimin “Silver Zenith for the First Fiction Feature Film” në Festivalin Botëror të Filmit në Montreal. Çmimi ka një vlerë monetare prej 40,000 dollarësh, por mbi të gjitha përbën një vlerësim shumë të rëndësishëm në një festival ndërkombëtar si ai i Montrealit.

“Eho” është një bashkëprodhim mes Gjermanisë dhe Kosovës me regji dhe skenar nga Dren Zherka. Filmi trajton humbjen, vetminë dhe të papriturat e fatit që ndërthur jetët e dy prindërve të moshuar: një gruaje të vetmuar gjermane dhe një të moshuari nga Kosova.

Ismeti, një ish-gazetar 71 vjeç, jeton i vetmuar, i sëmurë dhe i izoluar nga shoqëria në shtëpinë e tij në Kosovë, pasi ka humbur gruan dhe vajzën në luftë, ndërsa djali ka emigruar ilegalisht në Gjermani. Hanna, një pensioniste 65-vjeçare, jeton e vetme, larg nga djali i saj, i cili ka zgjedhur një jetë tjetër për veten. Një aksident fatal do të bëjë që jetët e dy prindërve të ndërthuren, duke shpalosur dramën e mallit, dëshpërimit, vetmisë dhe pasojave të luftës në jetën e njerëzve.

Në rolet kryesore interpretojnë Selman Jusufi dhe Klara Höfels, ndërsa realizimi iu takon kompanive filmike ‘ASHA’ dhe ‘MAGUSfilms’ me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

“Eho” u shfaq për here të paraë para publikut në premierën e tij në Montreal World Film Festival, duke fituar vlerësimin e jurisë dhe publikut.

Pin It