Elbi në traditën Profetike

Elbi është bimë barishtore një vjeçare dhe i takon grupit të drithrave. Ai është drithi i katërt për nga rëndësia në botë pas grurit, orizit dhe misrit dhe është po aq i mirë sa tërshëra. Elbi është një nga ushqimet më të përdorshëm të Profetit tonë (s.a.s) dhe përmendet në shumë hadithe të ndryshëm.

Në një hadith të transmetuar nga Aishja (r.a), ajo shprehet se kur dikush sëmurej në familjen e të Dërguarit të Allahut, ai vendoste të ziejë supë elbi në një tenxhere dhe kërkonte që i sëmuri të hante prej saj. Profeti kishte zakon të thoshte: “Ushqejeni me supë elbi të sëmurin, sepse ajo e ringjallë dhe i freskon zemrën, e çliron nga streset, mërzitja dhe shqetësimet, si dhe pastron stomakun ashtu siç pastron njeriu fytyrën nga papastërtitë.” [Tirmidhiu, Ibn Maxhe]

Ummul Manzar (r.a) tregon se Profeti (s.a.s) së bashku me Hz. Ali (r.a) erdhi në shtëpinë tonë, dhe ne i ofruam atyre hurma. Që të dy hëngrën prej tyre. Kur Hz. Ali (r.a) konsumoi pak prej tyre, Profeti (s.a.s) i tha: “Ti sapo ke marrë veten nga sëmundja, prandaj je i dobët, mos ha më shumë hurma. Prandaj, zonja e shtëpsë përgatiti një pjatë supë me përbërje elbi dhe rrënjë panxhari. Pastaj, Profeti i tha Hz. Ali (r.a): “Ha prej saj, se është më mirë për ty”. [Ibn Maxhe, Ahmed bin Hanbel, Tirmidhiu]. Kjo dëshmon se pas sëmundjes, përgatitja e bërë nga elbi dhe rrënjët e panxharit është shumë i mirë për personat e dobët. Profeti (s.a.s) e ka rekomanduar atë gjithashtu për kurimin e veshkave.

Jusuf bin Abdullah ibn Selam (r.a) tregon se ka parë Profetin të merrte një copë bukë elbi dhe vendosi mbi të një hurmë. [Ebu Davud]

Ekziston një  përbërje e trashë që quhej Talbina dhe përgatitet nga zierja e elbit me qumësht dhe me mjaltë. Hz. Aisha (r.a) porosiste të përdorej Talbina për personat e sëmurë duke thënë: “Edhe nëse i sëmuri  nuk e pëlqen atë, përdorimi i saj është shumë e dobishme për të.” [Buhariu]

Elbi përmendet në shumë hadithe, në të cilat tregohet se elbi ka qenë ndër ushqimet  më të rëndësishëm në historinë Islame. Hadithet tregojnë se elbi zinte vend në jetën tregtare, jetën ekonomike, shëndetin dhe jetën shoqërore të muslimanëve.

Dobitë shëndetësore të elbit

Elbi ka përfitime të shumta shëndetësore. Ai është i njohur për aftësinë e tij për të ndihmuar në lehtësimin e diabetit, kolesterolit të lartë dhe obezitetit. Është gjithashtu efektive kundër sëmundjeve si arterioskleroza, diabeti, etj.

Studimet shkencore kanë zbuluar që konsumimi i elbit ul rrezikun nga shumë sëmundje. Përbërësit e elbit si beta-glukanët ulin kolesterolin, mbajnë nën kontroll nivelin e sheqernave në gjak dhe përmirësojnë funksionet e sistemit imunitar dhe sidomos sistemit tretës. Studime të tjera, kanë treguar që elbi ndihmon trupin të përballet më mirë me efektet e kemioterapisë. Ekspertët shpjegojnë që, fibra e tretshme e elbit ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe kancerit të zorrës së trashë. Për më tepër, elbi të bën të ndihesh i ngopur shpejt dhe ndihmon në rënien në peshë.

 

Pin It