Ermonela Jaho çon “Madame Butterfly” në Washington

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho, pas suksesit të jashtëzakonshëm në teatrot e Londrës, Bolonjës, Nju Jorkut dhe Parisit, në 5 maj do të ngjitet në skenën e Operës Shtetërore të Washingtonit, me rolin e saj të Cio -Cio San në operën “Madame Butterfly”.

E konsideruar një nga veprat më të shkëlqyera të Puccinit “Madame Butterfly”, drejtuar nga Leslie Swackhamer, sipas sopranos Jaho kjo opera përfshin disa nga ndjenjat më universale dhe humane . Me thjeshtësinë e saj gjatë interpretimit të këtij roli Jaho arrin të përcjellë dashurinë, dëshpërimin, braktisjen dhe çdo situatë tjetër, që përjeton personazhi i saj gjatë veprës te publiku.

Ermonela Jaho e pajisur me një ndjeshmëri të lartë mbi rolet që merr përsipër të realizojë edhe këtë herë pritet të magjepsë publikun. Në 5 maj do të jetë premiera e operës “Madame Butterfly” në Operën Shetetërore të Washingtonit, ndërsa në datat 6, 8 , 10 , 13 , 15, 18 dhe 20 maj sopranoja do të vijojë të interpretojë rolin e saj në këtë opera.

“Madam Butterfly” (Milano, 1904) tregon historinë pikëlluese të Butterfly-t (Cio-Cio-San) , që beson verbërisht te dashuria e një oficeri detar, një amerikani cinik, Pinkerton. Por, pas martesës nën ligjin japonez, që nuk lejon që gruaja të njihet, Pinkerton shkon në shtëpi në Amerikë. Kur Butterfly e zbulon që njeriu që ajo donte është kthyer përsëri me gruan e tij amerikane dhe do të marrë përgjegjësinë e djalit, që ajo i lindi pas largimit të tij, ajo i jep fund ëndrrës së saj perëndimore dhe kryen vetëvrasje japoneze. Në fokus është Butterfly, që dallohet për aftësi të admirueshme, për dashurinë dhe delikatesën e saj. Ndërsa muzika e rafinuar dhe kostumet nxjerrin më në pah karakterin e saj të brishtë dhe të ndjeshëm, në një formë tjetër. Opera është me tri akte. Libreti është realizuar nga Giuseppe Giacosa dhe Luigi Illica. Muzika është realizuar nga Giacomo Puccini. Interpretimi i parë është bërë në vitin 1904 në Milano.

Ermonela Jaho (1974) ka lindur në Tiranë. Përfundoi studimet në Konservatorin e Tiranës në vitin 1991. Pas mbarimit të Konservatorit në vitin 1993, merr një bursë studimi pranë Akademisë së Mantovës me Katia Riçiarelli, bashkëshortja e prezantuesit të njohur të spektaklit italian, Pippo Baudo. Ishte ftesa e asaj, pasi dëgjon personalisht zërin e sopranos. Në dy vjet ‘97-‘98, këndon në Ravena Don Pasquale, të Prokofiev në rolin e Madalenës. Kthehet në Akademinë Santa Cecilia të Romës për të interpretuar në veprën e Mozart Mesha e Kurorëzimit. Më ‘99-’00, interpreton në Bolonjë Mimi tek Bohema. Më pas këndon Brahms dhe Strauss në Rovereto. Debuton në Venecia me Sadko të Rimsky Korsakov, dhe Siroe të Haendel dhe Suzanën tek Dasma e Figaros. Në Festivalin e Wexford-it debuton me Traviatën. Në vitin 2001, këndon Don Pasquale në Teatrin Staatsoper të Mynihut dhe më pas jep një recital në Bejrut. Merr pjesë në Festivalin e Pezaros dhe të Pergolezes në Milano. Këndon Semiramidën në Peru, Kapuletë e Montagë, dhe Safo sërish në Festivalin e W”exford-it, më pas interpreton në Olimpiadën Çimaroza në Venecia.

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është shpallur edhe sopranoja më e mirë në botë për vitin 2016, nga International Opera Awards. Gjithashtu Opera Mbretërore është duke realizuar një dokumentar për jetën e sopranos./ATA/

Pin It