Festivali “Mirëdita, Dobar Dan”, artistët ndërtojnë ura komunikimi Kosovë-Serbi

 

FB_Cover-1024x378

Në datat 1-4 qershor, në Beograd do të mbahet për të tretën herë festivali kulturor “Mirëdita, Dobar Dan”, i cili prezanton publikun serb me kulturën kosovare. Festivali synon ndërtimin e urave të komunikimit dhe mirëkuptimit midis Kosovës dhe Serbisë përmes afrimit të kulturave.

“Nëse nuk bashkojmë forcat intelektuale dhe morale të kulturës serbe dhe shqiptare për të gjetur mënyrat e arsyshme dhe demokratike, urrejtja do të na çojë tek katastrofat e paparashikueshme”, – janë fjalët e aktorit të madh kosovar Bekim Fehmiu, i cili është simboli i këtij festivali.

Edicioni i tretë i festivalit do të nisë pikërisht me përkujtimin e 80-vjetorit të lindjes së këtij artisti. Më tej festivali do të vijojë me shfaqjen e filmi “Babai” nga Visar Morina dhe “Thinking of you” nga Anna Di Lellio. Pjesë e këtij edicioni do të jenë edhe promovimi i librit “Këmbët e gjarprit” të Veton Surroit, ekspozita “Këngët e peshqve” të Blerta Surroit, koncerti i sopranos Besa llugiqi dhe pianistes Lirika Pula-Kasapolli,  si dhe biseda e diskutime të shumta të medias dhe artistëve në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Festivali “Mirëdita, Dobar Dan” organizohet nga Iniciativa Qytetare dhe Qendra për Politikë nga Beogradi, Integra nga Prishtina në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur.

Pin It