Fleckenstein: Të hapen negociatat me Shqipërinë, përparimi është i qartë

knut

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, tha se negociatat me Shqipërinë duhen hapur dhe zbatimi i reformave mund të vijojë gjatë negociatave. Sipas tij përparimi i Shqipërisë është i qartë, ashtu siç konfirmoi edhe kancelarja Merkel gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama.

Fleckenstein tha se ka shumë vende të tjera në të cilat zbatimi i reformave është realizuar gjatë procesit të negociatave.

“Është shumë të qartë që negociatat duhet të çelen shumë shpejt, sapo të fillojë zbatimi i Reformës në Drejtësi. Nuk mund të presim për zbatimin e çdo gjëje, sepse në vende të tjera zbatimi fillon dhe gjatë negociatave. Besoj se në lidhje me Reformën në Drejtësi puna është bërë. Si një faktor kyç në bashkëpunimin rajonal, ne jemi shumë të kënaqur me punën e qeverisë” u shpreh Fleckenstein.

Ndërsa në lidhje me pretendimet e eurodeputetëve grekë, ai tha se Greqia pretendon shpesh për probleme me shtete të ndryshme.

Fleckenstein u shpreh skeptik në lidhje me deklaratat e kreu të komisionit të jashtëm të Bundestagut, Kirschbaum, në Tiranë. Ai tha se qeveria shqiptare i ka përmbushur detyrimet por ende mbetet punë deri në realizimin e procesit të vettingut.

“Besoj se zoti Kirschbaum përmendi disa pika të cilat tashmë duhet të fillojnë të zbatohen, por nuk besoj se është e drejtë ajo që ai tha, që ne duhet të presim derisa çdo gjë të zbatohet, edhe në 2018-ën, më duket se tha të shohim. Ndoshta është një informacion i gabuar që ka marrë, sepse Bundestagu gjerman nuk ka zë në lidhje me këtë, është parlamenti europian, dhe jo 28 parlamente që duhet të vendosin në lidhje me çdo hap”, u shpreh Fleckenstein.

 

Pin It