Forumi Ekonomik Botëror rendit Shqipërinë ndër 20 vendet me probleme me drejtësinë

foto-raporti-i-Forumit

Raporti i fundit i Forumit Ekonomik Botëror për drejtësinë në botë nuk rezulton shumë pozitiv për Shqipërinë. Raporti Global për Teknologjinë e Informacionit e cilëson jo efektiv sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke e renditur vendin mes 20 vendeve më problematike në botë në këtë aspekt.

Në raport janë analizuar 139 vende të ndryshme bazuar mbi tre tregues si pavarësia, efektiviteti në zgjidhjen e konflikteve tregtare dhe marrëdhënia me institucionet publike dhe rregullat. Sipas këtyre treguesve të gjitha vendet e Ballkanit. përveç Serbisë, kanë vlerësime më të mira se Shqipëria.

Raporti thotë se sistemi gjyqësor në Shqipëri nuk është mjaftueshëm i pavarur, institucionet kanë hapësirë për të marrë vendime arbitrare të pakontrolluara dhe pronësia intelektuale nuk gëzon mbrojtjen e duhur. Po ashtu vendi ka probleme me piraterinë e teknologjisë dhe programeve kompjuterike.

Më herët Fondi Monetar Ndërkombëtar gjithashtu ka tërhequr vëmendjen tek forcimi i së drejtës së pronës dhe përmirësimi i sistemit gjyqësor. Në këtë kontekst institucionet ndërkombëtare në mënyrë të vazhdueshmë kanë bërë thirrje për miratimin e reformës në drejtësi.

Pin It