Fotografi i Shtëpisë së Bardhë, sjell në Prishtinë përmes një ekspozite dhjetë presidentët amerikanë

“Presidentët amerikanë dhe marrëdhëniet shqiptare”, titullohet ekspozita e çelur mbrëmjen e djeshme në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Dhjetë presidentë amerikanë bashkë me shkrimet mbi marrëdhëniet shqiptare me Amerikën, u renditën në hollin e Bibliotekës së Kosovës. Këto fotografi bardh e zi, shpalosën një pjesë tjetër shqiptare, pasi ato ishin shkrepur nga fotografi shqiptaro-amerikan George Times, i cili ishte një ndër fotografët më të shquar të Shtëpisë së Bardhë në periudhën 1919-1994. Që nga Frenklin Ruzvelt e deri te Xhorxh Bush, fotografitë e Gorge Times, treguan për periudhat e ndryshme të këtyre presidentëve, të cilët ndihmuan që shekullit të njëzetë t’i jepej një trajtë tjetër.

“Kjo ekspozitë e fotografive që po hapet në Prishtinë dhe që pati një interesim të madh edhe në Tiranë, sjell pamjen e dhjetë presidentëve amerikanë, thjeshtësinë, zgjuarsinë dhe natyrshmërinë e tyre në rrethana të caktuara, momente nga aktivitete të tyre politike, takime publike e zyrtare, marrëdhëniet me të tjerët”, tha para të pranishmëve drejtori i Bibliotekës Kombëtare Fazli Gajraku, në fjalën hapëse të kësaj ekspozite.

Përveç të pranishmëve të tjerë, pjesë e kësaj ekspozite ishte edhe ministrja për Dialog Edita Tahiri, e cila ishte e ftuar të thotë disa fjalë në lidhje me këtë ekspozitë.

“Kjo është një temë e vlefshme për ne, pra presidentët amerikanë dhe lidhjet shqiptare. Kam kënaqësinë të flas jo si politikane por si shqiptare, e cila së bashku me gjithë shqiptarët ka përjetuar tragjedinë e ndarjes së kombit shqiptar dhe që në këto rrethana të reja, kur kemi bërë kthesa të rëndësishme historike ne kemi rigjetur njëri tjetrin këndej dhe andej kufirit, por ende nuk e kemi rinjohur, sepse paradokset tona historike na kanë vënë në pozita shtypëse. Megjithatë kur e shohim ekspozitën ndërlidhemi në mënyrë multidimensionale ku e para është autori i fotografive, një shqiptaro-amerikan i cili është ngritur në majat e artit të fotografisë dhe na sjellë presidentët amerikanë, ndërsa fati jonë dhe liria jonë lidhet me shtetin amerikan”, u shpreh Tahiri.
“Presidentët amerikanë dhe marrëdhëniet shqiptare”, është sjellë nga OTTOnomy, ku disa fjalë rasti i tha edhe drejtori ekzekutiv i kësaj organizate Elvis Kazasi.

“Fondacioni ynë është një fondacion që dëshiron të punoj brenda konceptit të artit e kulturës dhe kjo ekspozitë është pjesë e kësaj fryme që ne dëshirojmë të përcjellim në Shqipëri, Kosovë e gjithë rajonin”, theksoi Kazasi.

Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 8 prill në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës./ATA

Pin It