Franca krijon aplikacionin që paralajmëron sulmet

Autoritet franceze kanë prezantuar një aplikacion në celular të quajtur SAIP, dy ditë para nisjes së kampionatit evropian të futbollit Euro 2016, me qëllim njoftimin e qytetarëve në lidhje me sulmet terroriste.

 Aplikacioni u testua të martën në mbrëmje gjatë një stërvitje të plotë sigurie në fanzonën e qytetit të Lionit, në të cilën priten 20 mijë tifozë gjatë kohëzgjatjes së Kampionatit Evropian në Francë nga 10 qershori deri më 10 korrik. I disponueshëm në dy gjuhë, frëngjisht dhe anglisht, aplikacioni është lehtësisht i përdorshëm.

 

Pas instalimit të këtij aplikacioni, në ekranin e celularit mbërrin njoftimi i Ministrisë së Brendshme nëse ka rrezik sulmi apo nëse një sulm është duke ndodhur në afërsi të zonës ku ndodheni. Përdoruesit gjithashtu mund të njoftohen me alarme deri në tetë fusha gjeografike, përfshirë rrethe të veçanta në kryeqytet.

 

Aplikacioni do të testohet gjatë gjithë kohës së kampionatit për të vlerësuar efektivitetin e saj dhe varësisht nga rezultatet, përdorimi i aplikacionit mund të zgjatet për incidente të tjera të mëdha të tilla si tërmetet apo përmbytjet.

Pin It