Gati projekti për hekurudhën Tiranë-Durrës, Keri rendit përfitimet nga investimi

hekurudha

Projekti i rindërtimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës është drejt përfundimit. Drejtori i Projekteve në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Krislen Keri, tha se projekti dhe paketa e tenderimit do të dorëzohen në fund të muajit gusht pranë ministrisë.

Synimi i këtij projekti është shkurtimi i distancës kohore mes dy qyteteve, ulja e kostos së udhëtimit, zgjidhja e problemit të trafikut dhe transportimi i rreth 1.4 milionë qytetarëve në vit dhe 240 mijë ton mallrave. “Studimi ka llogaritur se do të kursehen në vit rreth 55 milionë euro nga koha e pasagjerëve, nëse zgjedhin të udhëtojnë përmes linjës hekurudhore”, – deklaroi Keri.

Ai tha se treni i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës do të lëvizë me shpejtësi 100km/h dhe do ketë stacione në  Kashar, Vorë, Sukth, Shkozet, ndërsa Stacioni i Trenit do të jetë sërish pranë qendrës së kryeqytetit. Me këtë linjë distance Tiranë-Durrës do të përshkohet për 30 minuta.

Sipas tij studimi ka marrë parasysh edhe kërkesat e Bashkimit Europian dhe ka zbuluar se ky segment është i vetmi me interes për transport pasagjerësh, ndërsa segmentet e tjera do të përdoren për transport mallrash.

Keri deklaroi se vlera totale e projektit është 81.5 milionë euro, nga të cilat 34.5 milionë u miratuan nga BE gjatë Samitit të Parisit, ndërsa 35 milionë të tjera pritet të miratohen nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në muajin tetor të këtij viti.

Pin It