HEC-t private: Nuk nënshkruajmë asnjë kontratë me qeverinë për blerjen e energjisë

hidrocentral_8

Një vendim i qeverisë që parashikon që kontratat për blerjen e energjisë elektrike të hidrocentraleve private të kalojnë nga KESH tek OSHE-ja kundërshtohet nga subjektet private që prodhojnë energji.

Me anë të një reagimi, Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinoveshme (AREA) thotë se vendimi shkel të drejtat ligjore të mëhershme të subjekteve private.

“Prishja e njëanshme e kontratave ekzistuese me KESH sh.a me anë të një VKM dhe zëvendësimi i tyre me kontrata me OSHEE i ka vendosur në një marrëdhënie të re, të dëmshme dhe të pasigurt investimet prej qindra miliona eurosh, të bëra nga investitorë të huaj e shqiptarë”, thuhet në reagim.

Ministria e Energjisë ka deklaruar se kalimi i këtyre detyrimeve për blerjen e energjisë nuk cenon të drejtat e fituara, por AREA-ja thotë se kjo deklaratë është e pavërtetë dhe fsheh qëllimin e vërtetë të vendimit.

“Por thelbi i kontratës së re të hartuar në mënyrë të njëanshme, është roli që Qeveria u jep investitorëve të huaj e shqiptarë në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme, duke mos i trajtuar më ata si prodhues të energjisë, por si tregtarë të saj dhe duke mos u siguruar blerjen e të gjithë energjisë së prodhuar, siç parashikohej në kontratat e nënshkruara përpara se të nisnin investimet”, thuhet në reagim.

Sipas reagimit, presioni i qeverisë për të firmosur nxitimthi kontratat e reja pas prishjes së njëanshme të kontratave të vjetra ka frikësuar investitorët e huaj dhe vendas.

Përballë kësaj situate, AREA thotë se nuk do të pranojë të firmosë asnjë kontratë me qeverinë, pasi shkelin hapur të drejtat e investitorëve.

 

Pin It