Hungaria, shembulli që votuesit po lodhen nga demagogjia

 

hungary-map

Nga Marcus Tanner

Ashtu si David Cameron i Britanisë, Viktor Orban i Hungarisë po zbulon se referendum janë një armë te e cila nuk mund të mbështetesh.

Cameron shpresoi se referendumi i tij i 23 qershorit mbi anëtarësinë e Britanisë në BE do të shkatërronte fraksionet anti-europiane në Partinë e tij Konservatore.

Në vend të kësaj, ai shkatërroi postin e tij si kryeministër dhe e dërgoi Britaninë drejt portës dalëse të BE-së. [Pasardhësja e tij, Theresa May sapo la të kuptohet se Britania do të lançojë Nenin 50 të Traktatit të Lisbonës në pranverën e vitit 2017].

Rezultati në Hungari është më pak fatkeq për Orban nga sa rezultoi për Cameron. Pothuajse të gjithë ata që e morën mundimin të votojnë të dielën mbështetën pretendimin e tij se kuotat e imponuara nga BE-ja për imigrantët janë një sulm ndaj sovranitetit të Hungarisë dhe një kërcënim për identitetin e vendit.

Megjithatë, askush nuk mund të bëhet për budalla nga gjepurat e Orban për “një rezultat të jashtëzakonshëm”.

Fakti se vetëm 40 për qind e elektoratit u shfaqën në votim, përkrah një reklame të madhe të bërë referendumit, është një turp i madh politik për të, si dhe një pasqyrim se rezultati është i vlefshëm nga aspekti kushtetues.

Dalja në përfundimin se një votim lokal ka rëndësi të madhe për Europën është një punë e rrezikshme.

Megjithatë, ka arsye për të dalë në disa përfundime nga votimi në Hungari – një prej të cilëve është ai që njerëzit e zakonshëm mund të jenë mërzitur nga gjuha apokaliptike që e djathta nacionaliste përdor për subjektin e migracionit.

Kjo nuk do të thotë se ata të gjithë ndajnë optimizmin e ndritur të kancelares gjermane Angela Merkel, slogani i famshëm i të cilës “Wir Schafen das” – “Mund t’ia dalim” – është përqeshur tashmë gjerësisht.

Por ende, dyshimet rreth faktit nëse Europa mund “t’ia dalë” realisht – të pranojë miliona imigrantë nga Lindja e Mesme dhe përtej – janë në dukje të balancuara nga rezistenca në rritje ndaj gjuhës histerike që zoti Orban dhe të tjerë kanë përdorur kundrejt migrantëve – duke i lidhur ata me terrorizmin, humbjen e identitetit kombëtar dhe krijimin e zonave “ku nuk mund të shkelësh” në qytet.

Është shumë shpejt për të thënë me siguri se reagimi nacionalist kundër imigrantëve e ka arritur pikun e tij.

Nëse do të shpërthente një tjetër bombë terroriste, e lidhur me azilkërkues fals, në Paris, Londër, Berlin apo Madrid, tensionet do të rriteshin sërish dhe Orban e shumë të tjerë do të thoshin “jua thamë”.

Por, duke supozuar [me optimizëm] se kjo nuk ndodh, është e mundur që Europa t’i drejtohet ujërave më të qeta mbi këtë subjekt, me shfaqjen e një konsensusi në nevojën që të gjitha vendet në Europë të marrin të paktën disa prej atyre që po përpiqen t’ia mbathin nga masakra në Siri dhe Irak.

Një “mësim” tjetër nga Hungaria është – sigurisht – i lidhur me referendumet. Së fundmi, kemi parë një vërshim të tyre – nga ai i 23 qershorit në Britani, në atë të 25 shtatorit në Bosnje [nga entiteti i drejtuar prej serbëve mbi ditën kombëtare] dhe tani të dielën e shkuar në Hungari për imigrantët.

Por është intrigues fakti se vetëm një nga tre vota në entitetin serb të Bosnjës – “funksionoi” në kuptimin e dhënies së rezultatit që prisnin ata që e iniciuan.

Nëse votimi në Hungari tregon se po fillojmë të shohim një “reagim kundrejt reagimit [kundër imigrantëve], a mund të jemi duke parë gjithashtu një reagim kundër përdorimit të rrëmujshëm të referendumeve?

Një ish lider britanik, Clement Atlee, në vitet 1940, i quajti referendumet “një mjet për despotët dhe diktatorët”.

Dyshimi i tij për formën e rrugës së shkurtër ndaj demokracisë direkte ishin me bazë të fortë. Përdorimi shumë i shpeshtë i plebishitit në mënyrë të pashmangshme i merr pushtetin parlamenteve dhe i kthen të zgjedhurit në spektatorë virtualë.

Nëse votimi i dështuar i së dielës në Hungari frenon çmendurinë e fundit të referendumeve, kjo mund të jetë veçse diçka e mirë.

Pin It