Shqipëria dhe Hungaria forcojnë bashkëpunimin ekonomik në shumë fusha

Hungaria dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë në fushën ekonomike në mënyrë që procedurat e integrimit të Shqipërisë në BE të përshpejtohen. Gjatë takimit të ministrave të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore dhe Kinës, ministrja Milva Ekonomi zhvilloi një takim me ministrin hungarez të Tregtisë Peter Szijjarto.

Ministri hungarez ofroi asistencën teknike të ministrisë së tij për plotësimin e kërkesave në lidhje me ekonominë dhe sipërmarrjen për çeljen e negociatave. Ndërsa ministrja Ekonomi falenderoi qeverinë hungareze për ndihmën e dhënë deri tani për integrimin e Shqipërisë në BE.

Për të promovuar bashkëpunimin mes dy vendeve në korrik do të hapet në Tiranë një Zyrë Përfaqësimi e Hungarisë për tregtinë. Po ashtu gjatë vjeshtës së këtij vitit kompania ajrore hungareze Wizzair do të nisë fluturimet direkte midis Tiranës dhe Budapestit.

Ndërsa në fushën e arsimit Hungaria ofroi 20 bursa të plota studimi për 20 studentë shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin studimet universitare në Hungari, duke filluar nga shtatori i këtij viti.

Hungaria gjithashtu shprehu gatishmërinë për të ofruar mbështetje në fushën e menaxhimit të ujërave, mbrojtjes së konsumatorit, ndërtimit të rrjetit hekurudhor, hoteleri-turizëm dhe përpunimi i produkteve agro-ushqimore.

Pin It