Ideimi i zyrave,të fshehtat që ndihmojnë dhe dëmtojnë krijimtarinë

Nëse ju është krijuar ndonjëherë përshtypja se “të gjitha idetë ju zhduken sapo hyni në zyrë” mund të jetë vërtet ashtu dhe problemi mund të jetë pikërisht tek ideimi i zyrës.

Një sërë studimesh në rritje tregojnë se ndriçimi, ngjyra e mureve dhe madje edhe lartësia e tavanit mund të kenë një ndikim të madh në mënyrën se si njerëzit mendojnë. Hapësirat e punës të ideuara dhe organizuara mirë krijojnë shpesh mjedise që i bëjnë punonjësit më krijues, shtojnë frymëzimin dhe sikur “të ftojnë” të punosh duke nxitur ide të reja dhe risi.

Edhe pse zyrat e përbashkëta me plan të hapur mund të jenë një mënyrë jo e kushtueshme për shumë kompani për të përfshirë më shumë njerëz në më pak hapësirë, këto zyra mund të ndrydhin krijimtarinë.

Më poshtë rendisim disa nga këshillat që psikologët e dizajnit japin për ideimin e zyrave frymëzuese, që rrisin produktivitetin në punë.

Zgjidh të gjelbrën

 

 Royal Institution of Chartered Surveyors Headquarters in Westminster, London

Royal Institution of Chartered Surveyors Headquarters in Westminster, London

Psikologia e ideimit të mjediseve, Sally Augustin, thotë se një prej mënyrave më të thjeshta për të frymëzuar krijimtarinë është zgjedhja e nuancës së duhur të ngjyrës për muret e zyrës.Sigurisht që parapëlqimet personale ndikojnë, por përgjithësisht ngjyra e gjelbër lidhet drejtpërdrejt me krijimtarinë. Ngjyrat e tjera të çelëta si blutë e lehta dhe të verdhat mund të rrisin krijimtarinë gjithashtu.

“Dy janë arsyet që sjellin këtë ndikim. Së pari, ngjyrat më të qeta, si e gjelbra dhe bluja, janë më pak stimuluese se ngjyrat më të ngopura si e kuqja, kështu që ato na shpërqëndrojnë më pak nga detyrat tona. E gjelbra gjithashtu na kujton natyrën, e cila na ndihmon të qetësohemi,” thotë Augustin.

Ndërsa ngjyra e kuqe duhet shmangur, sepse ajo lidhet me performancë të ulët analitike dhe me shumë ndjesi agresive.

Ndriçimi

interior-design-office

Ndriçimi është një tjetër faktor shumë i rëndësishëm për krijimtarinë dhe për të krijuar atmosferën e duhur në vendin e punës. Nëse është shumë errësirë, punonjësit mund të ndihen të përgjumur, ndërsa nëse është tepër dritë, ajo mund t’i bëjë ata të ndihen në ankth. Ekspertët rekomandojnë se niveli ideal i ndriçimit në një zyrë është 500 lux – sasi e dritës e ndjashme me dritën e diellit në një ditë pa re.

“Megjithatë ndriçimi më i mirë është drita natyrale. Ajo përmirëson humorin, na ndihmon të flemë më mirë dhe na bën më produktivë,” thotë Augustin.

Por për të përfituar siç duhet nga drita natyrale duhet të ndërthuren gjelbërimi, uji dhe druri. Këta elementë kanë një ndikim pozitiv tek pothuajse çdokush.

“Sa i përket ndriçimit artificial me rëndësi janë ngrohtësia dhe ngjyrat. Në hapësirat e punës më bashkëpunuese, ku duhet të mendojmë në mënyrë më kreative, një ngjyrë e ngrohtë është ideale. Ndërsa nëse duhet të përqendrohemi dhe të mendojmë në mënyrë analitike, një ngjyrë në blu është më e mirë.”

Lartësia e tavanit

Ndoshta mund të duket e çuditshme, por sasia e hapësirës sipër kokës suaj mund të ndikojë të menduarit. Një studim ka zbuluar se tavanet e larta rezultojnë në procesin e të menduarit më kreativ, ndërsa tavanet më të ulëta i ndihmojnë njerëzit të përmbushin detyrat praktike.

“Lartësitë e tavaneve sjellin koncepte të ndryshme në mendje, këto koncepte ndikojnë mënyrën se si procesohet informacioni,” thotë Joan Meyers-Levy autor i studimit. “Një tavan i lartë aktivizon idenë e lirisë, mungesën e kufijve. Ndërsa një tavan i ulët aktivizon koncepte të ndalimit dhe kufizimit.”

Vendosja në praktikë

home office color ideas

Bashkërendimi i të gjithë këtyre elementëve të fshehtë të ideimit nënkupton zhvillimin e një sërë hapësirave në një zyrë, kështu që stafi të mund të ketë privatësinë e nevojshme, por gjithashtu të punojë në mjedise të përshtatshme për të menduar në mënyrë krijuese e analizuese.

Për rrjedhojë një kompani mund të ketë një dhomë me tavan të lartë, ku të bëhet më shumë punë krijuese dhe një dhomë tjetër me tavan më të ulët, ku të bëhen më shumë punë praktike.

Sigurisht që hapësira e zyrës nuk është faktori i vetëm ndikues në krijimtari – kolegët, drejtuesit dhe pasioni për punën ndikojnë gjithashtu. Por mjedisi rrethues mund të na japë frymëzim për të krijuar. Ata që punojnë në mjedise të mërzitshme, mund të shtojnë lule në një kënd të zyrës, ose fotografi me ngjyra mbi tavolinë për të ndihmuar qarkullimin e ideve.

Zgjidhjet janë të shumta. Qëllimi përfundimtar është gjithmonë krijimi i hapësirave të shumëllojshme që maksimizojnë potencialin për të qenë të suksesshëm.

Burimi: BBC News & Urbanus Blog

Pin It