INTERVISTA / Kriza brenda BE-së do të ngadalësojë pranimin në union të Ballkanit

mark-leonard-thumb-533x400

Mark Leonard, drejtor i Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se BE-ja me gjasa do t’i ngadalësojë bisedimet me vendet e Ballkanit për shkak të një “rezistence të madhe” ndaj zgjerimit te anëtarët.

Mark Leonard, themelues dhe drejtor i organizatës pan-europiane, Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), mendon se nëse Këshilli i Europës merr hapin e madh për të përshpejtuar bisedimet e pranimit në BE të shteteve të Europës Juglindore, kjo me shumë gjasa do të krijojë një reagim të ashpër te vendet anëtare të BE-së, të cilat kundërshtojnë zgjerimin e mëtejshëm.

Përveç udhëheqjes së ECFR, e cila ka zyra në gjashtë kryeqytete europiane, Leonard shkruan analiza për rubrikën e Reuters për çështjet globale dhe kryeson Këshillin e Axhendës Globale të Forumit Ekonomik Botëror në gjeo-ekonomi.

“Ekziston një rezistencë e madhe ndaj idesë së zgjerimit në shumë shtete anëtare aktualisht,” tha ai në një intervistë për BIRN.

Ai shtoi se nuk është rastësi që presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, nuk e përmendi zgjerimin në deklaratën e tij të shtatorit.

Heshtja e Juncker ndaj politikës së BE për zgjerimin shqetësoi vëzhguesit e Ballkanit, megjithëse Mali i Zi, Serbia dhe Turqia kanë vazhduar të hapin kapituj të ri në negociatat e tyre me BE-në. Brukseli gjithashtu pranoi së fundmi aplikimin e Bosnjes për anëtarësim.

Shefi i Komisionit të BE-së u përqendrua në fjalimin e tij te nevoja për të zgjidhur krizën thelbësore të shkaktuar nga vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga unioni dhe mbi krizën e imigrantëve.

Duke hequr një vijë paralele mes rolit që zgjerimi i BE-së për të përfshirë Turqinë ka luajtur në fushatën pro-Brexit në Britaninë e Madhe, Leonard vuri në dukje se sa më tepër të jetë zgjerimi në axhendën politike tani, aq më të pakta janë perspektivat që të ndodhë realisht.

“Partitë anti-evropiane po kryesojnë debatin në Europë tani dhe nëse zgjerimi bëhet një çështje e debatit kombëtar, shumë njerëz do të thonë se nuk ka për të ndodhur kurrë,” shtoi ai.

I pyetur nëse dështimi i BE-së për të mbrojtur më mirë demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Turqi dërgon një mesazh të rrezikshëm për elitat politike të Ballkanit, drejtori i ECFR-së shpehu përkrahjen e tij personale për vazhdimin e bisedimeve të pranimit me Turqinë.

“Është fat i keq që disa shtete anëtare kanë hedhur baltë në rrugën e këtyre negociatave,” tha ai.

Njëkohësisht, ai tha se ndryshimet në Turqi [që pas grushtit të shtetit dhe reagimit ndaj tij] lidhen shumë me politikën turke dhe nuk mund të fajësohet Bashkimi Europian për atë që ndodhi atje.

“Mendoj se nëse vendet e Ballkanit do të arrijnë të futen ndonjëherë në Bashkimin Europian, kjo do të jetë për shkak të politikave të qëndrueshme dhe të menduara mirë,” tha ai, duke shtuar se procesi i pranimit mund të ofrojë vetëm një ide si bëhet kjo.

“Një nga problemet e politikës së BE-së ndaj Ballkanit është se ajo tenton të kritikojë dhe të dobësojë vazhdimisht  politikën kombëtare duke u treguar njerëzve çfarë munden dhe çfarë nuk munden të bëjnë. Nuk mendoj se kjo është shumë e dobishme”, tha Leonard.

Ai shpjegoi se ndërsa BE-ja po kalon një periudhë të vështirë dhe është e zhytur në problemet e veta, Ballkani shihet kryesisht përmes prizmit të krizës së migracionit dhe rrugës që refugjatët ndjekin në Ballkan.

Në vitin 2015, rajoni regjistroi 764,000 kalime të paligjshme të kufirit nga emigrantët, një rritje 16-fish nga viti 2014, sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex. Sirianët përbërë përqindjen më të madh të të ardhurve, ndjekur nga irakianët dhe afganët.

Që kur rruga e Ballkanit pak a shumë u mbyll në muajin mars dhe kur BE-ja nënshkroi një marrëveshje polemike për kthimin e emigrantëve në Turqi, numri i refugjatëve që kalojnë Europën Juglindore për të arritur në Europën Perëndimore ka rënë dukshëm.

Leonardi, megjithatë, beson se gjithsesi kjo ka ndryshuar perspektivën me të cilën BE-ja sheh Ballkanin.

“Nuk mendoj se shumë liderë do të flasin për zgjerimin dhe procesin e pranimit. Kjo krijon një kontekst krejt të ndryshëm politik dhe jam i sigurt se Rusia do të përpiqet të përfitojë,” paralajmëroi ai.

Ndërsa Leonard thotë se ka më pak oreks në kryeqytetet europiane për t’u përfshirë në politikën e brendshme të vendeve të Ballkanit, kjo mund të jetë një gjë e mirë.

“Nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe për sa i përket qëndrueshmërisë afatgjatë. Mendoj se BE-ja ka qenë pak si shumë udhëzuese në disa vende të Ballkanit, gjë që ka bërë të pafuqishëm elitat politike në vend, i ka trajtuar ato si fëmijë dhe i ka bërë të mësojnë t’i thonë gjërat “siç duhet” për të kënaqur në Bashkimin Europian”, tha Leonard.

Ai shtoi se kriza në BE mund t’i japë forcave pro-reforma në Ballkan, një mundësi për të zhvilluar fuqinë e tyre, në vend që të krijojnë varësi nga jashtë.

“Ka shumë kriza brenda BE-së dhe duket disi hipokrite që t’i tregohet Ballkanit çfarë duhet të bëjë, ndërsa nga ana tjetër ka pasur referendume si ai që u zhvillua në Hungari”, vuri në dukje shefi i ECFR, duke iu referuar referendumit të fundit në Hungari mbi kuotat e imponuara nga BE-ja për emigrantët.

Në frikën e Bullgarisë se vendi mund të shndërrohet në një ‘magazinë’ të BE-së për migracionin, shprehur nga lidershipi politik i vendit, Leonard kujtoi se presidenti turk Recept Tayyip Erdogan ka kërcënuar “t’i hipë njerëzit në autobusë për në Sofje” nëse marrëveshja e brishtë BE-Ankara për emigrantët prishet.

Ai theksoi, megjithatë, se nëse kjo ndodh, Bullgaria mund të mbështetet në ndihmën e aktorëve të fuqishëm të lojës, si Gjermania. “Interesat gjermanë dhe bullgarë janë shumë të afërt”, theksoi ai.

Mariya Cheresheva BIRN

Pin It