Itali, Lezha përfaqëson Shqipërinë në festivalin e 72-të botëror të folklorit “Mandorle in Fiore”

Lezha ka përfaqësuar Shqipërinë në festivalin e 72-të botëror të folklorit “Mandorle in Fiore” që u zhvillua në Agrigento të Italisë.

Ky aktivitet u mbajt për 8 ditë me radhë, ndërsa Lezha u përfaqësua denjësisht në këtë festival pas 25 vitesh. Grupi i përbërë nga 29 artistë të zhanreve të ndryshme si instrumentistë popullore, muzikantë e këngëtarë nga veriu dhe jugu i vendit, nën drejtimin e Albana Pervathit, Përgjegjëse e Pallatit të Kulturës Lezhë, performuan në skenat e këtij Festivali, duke shpërfaqur denjësisht pasurinë e jashtëzakonshme të folklorit muzikor dhe kostumeve shqiptare, krahas shteteve të tjera pjesëmarrëse.

I organizuar nga UNESCO, ky Festival promovoi vlerat e pasurisë jomateriale botërore, të mbrojtura si trashëgimi e njerëzimit. Krahas folklorit burimor instrumental (lahutë, fyej, cifteli), valleve burimore e të përpunuara në bazë të folklorit nga koreografi Gazmend Golemi, kostumeve popullore të të gjitha trevave, Shqipëria u prezantua me Iso – polifoninë, forma më e lashtë e shprehjes muzikore europiane, e shpallur nga UNESCO, që prej vitit 2008, si një prej kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit.

Në performancat e tyre pas çdo prezantimi, artistët e mirënjohur lezhjanë, Dhori Bllahova e Flamur Toska, lahutari Pjeter Matusha apo instrumentisti frymor Gjovalin Ndreca kanë krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme duke nxitur publikun për t’i përshirë gjithnjë e më shumë në aktivitetet e shumta të organizuara për këtë festival. Prezantimi i grupit shqiptar, dhe polifonia e realizuar mjeshtërisht nga artistët Ali Shametaj, Vullnet Silaj e Vladimir Sheha, tërhoqi vëmendjen e medias e të publikut të shumtë, ndërsa njohja dhe takimi i kulturave të ndryshme nga e gjitha bota, mbeten vlera e padiskutueshme e festivalit të përvitshëm të Agrigentos, ku Shqipëria zë një vend nderi.

Pin It