Klosi: Realizuam ligje të rëndësishme për punësim të denjë

blendi-klosi

Gjatë vitit 2016 u realizuan pesë ligje të rëndësishme në lidhje me punën, si ligji i Zejeve, i Punëkërkuesve të papunë, ligji për arsimin profesional dhe ligji për Shërbimin Kombëtar të Punësimit.

Gjatë një aktiviteti të organizuar me sindikatat e ndryshme të punëtorëve në kuadër të Ditës Botërore të Punës së Denjë, ministri Blendi Klosi tha se realizimi i këtyre ligjeve çon drejtpërdrejt tek puna e denjë.

“Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në këtë vit ka realizuar pesë ligje shumë të rëndësishme që shkojnë drejtpërsëdrejti te puna e denjë. Përfunduam me sukses dhe aprovuam në parlament Kodin e Punës, realizuam ligjin e Zejeve që i shkon drejtpërsëdrejti atyre njerëzve, që punojnë me punë të denjë, realizuam ligjin e Punëkërkuesve  të papunë, duke u përpjekur me forcë që ta cojmë tregun e punës drejt kualifikimit dhe ta cojmë mbështetjen sociale drejt atyre që punojnë. Kemi realizuar ligjin për Arsimin dhe Formimin Profesional dhe ligjin e ri për Shërbimin dhe Legjislacionin Aldur për Shërbimin Kombëtar të Punësimit. Të gjitha këto janë një paketë ligjore qe na con ne te puna e denjë”, tha ai.

Klosi përmendi gjithashtu 6-fishimin e fondit të nxitjes së punësimit në vitin 2016 krahasuar me 2013, si dhe rritjen e sigurisë e uljen e aksidenteve në punë.

“Ne kemi disa shifra që nuk mund të rrinë pa u përmendur.  Në qoftë se në vitin 2013 aksidentet me vdekje në punë përbënin 24,2 % të rasteve, në 2014 ishin 22,3 % të rasteve, në 2015 ishin 15,3 %. Në 2016 kemi 50 për qind më pak. Kemi fatmirësisht një ulje dhe kjo falë kushteve shumë më të mira, kërkesës për regjistrime më të plota dhe natyrisht rezultateve më të mira të punës tonë”, përfundoi ai.

Pin It