Mbetjet, Nishani – shoqërisë civile: “Nuk do e zhgënjej interesin qytetar”

214

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave, ekspertë mjedisorë dhe qytetarë. Qëllimi i bisedës ishte këshillimi dhe njohja nga afër me shqetësimin dhe kërkesën për mosdekretimin e ligjit për mbetjet.

Nishani e konsideroi takimin si shumë të rëndësishëm për procesin e dekretimit të ligjit dhe i siguroi ata se nuk do e zhgënjejë asnjëherë interesin publik.

“Çështjen dhe kauzën tuaj, për të cilën duhet të vazhdoni të këmbëngulni, po e trajtoj me shumë seriozitet ligjor, institucional dhe personal, jo vetëm në cilësinë e kreut të shtetit, por edhe si një qytetar shqiptar dhe si prind. Ju garantoj se për sa kohë do të jem në këtë zyrë, nuk do ta zhgënjej asnjëherë interesin publik të qytetarëve”, u shpreh presidenti Nishani.

Të pranishmit në takim e njohën presidentin me situatën aktuale dhe paraqitën argumentet e tyre për disa të meta thelbësore dhe mungesën e standardeve në hartimin e Ligjit për Importin e mbetjeve, me pasoja negative në jetën e qytetarëve. Ata thanë se kjo çështje është me rëndësi për të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi.

Pin It