Numri i fëmijëve të pastrehë në botë arrin në rreth 50 milionë. Të dhënat i përkasin Fondit të Kombeve të Bashkuar për Fëmijët (Unicef), i cili deklaron se situata është shqetësuese.
Sipas Unicef këta fëmijë janë larguar nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftërave, konflikteve, dhunës dhe persekutimeve në kërkim të një jete më të mirë. Shifrat shqetësuese tregojnë se 28 milionë prej tyre janë shpërngulur me detyrim si brenda edhe jashtë kufijve të vendit të tyre. Raporti i publikuar të martën tregon se fëmijët përbëjnë gjysmën e refugjatëve në botë dhe shifra mund të rritet nëse qeveritë nuk marrin masa.
Në fund të vitit 2015 numri i fëmijëve refugjatë ishte rreth 31 milionë, ndërsa të shpërngulurit nga vendi i tyre arrinin në 17 milionë. Sipas të dhënave numri i fëmijëve refugjatë është dyfishuar në 10 vjetët e fundit dhe 45% e tyre vijnë nga Siria dhe Afganistani. Shifrat kanë pësuar rritje ndikuar edhe nga konfliktet e fundit në Lindjen e Mesme. Ndërkohë fëmijët e mbetur të pastrehë dhe shpesh edhe jetimë, kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe shërbimet bazë për jetën.
Drejtori i programeve për Unicef, Ted Chaiban, thotë se nuk duhet harruar që keta fëmijë refugjatë janë fëmijë dhe meritojnë të trajtohen si të tillë. “Ata meritojnë të jenë të mbrojtur. Të kenë shërbimet e duhura si arsimimi,”- tha Chaiban.
Shpesh keta fëmijë përballen me rreziqe të mëdha si trafikimi, shfrytëzimi, pengmarrja, vrasja, kequshyerja, diskriminimi etj. Autorja e raportit të Unicef, Emily Garin thotë se bëhet fjalë për miliona dhe duhen marrë masa për të zgjidhur këtë problem në rritje.