Konflikti mes CEZ-it dhe qeverisë, Rama dëshmon para komisionit hetimor

rama-1

Kryeministri Edi Rama po dëshmon në komisionin hetimor për CEZ-in në lidhje me konfliktin mes qeverisë shqiptare dhe asaj çeke.

Kjo mbledhje po mbahet me kërkesën e kryetarit të Komisionit Hetimor për CEZ-in, Edmond Spaho, i cili ka kërkuar të dëgjojë dëshminë e kryeministrit Rama për sa i takon konfliktit në fjalë.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se konfirmon plotësisht, nga A tek Zh, shpjegimin e ministrit Damian Gjiknuri.

Kryeministri sqaroi se çështja kërkonte zgjidhje të menjëhershme prandaj u preferua të zgjidhje me mirëkuptim dhe jo perms procedurës gjyqësore.

“Mos harrojmë që në tetor të 2013, humbjet ishin rreth 50%, që situata financiare ishte ajo që ishte dhe u detyruam të thërrasim zjarrfikësit e FMN-së, që Banka Botërore kërkonte me këmbëngulje një zgjidhje të shpejtë. Prandaj zgjodhëm zgjidhjen miqësore të konfliktit. Mbi të gjitha rrezikonim një kolaps energjetik dhe financiar, nuk kishim asnjë shans të merrnim mbështetjen për investime, por që i morëm dhe po i bëjmë falë kësaj zgjedhjeje”, u shpreh Rama.

Sipas kreut të qeverisë negociatat ishin rruga më e dobishme për Shqipërinë, pasi një të kundërt nuk do të fitonim, pasi pala tjetër ishte shpronësuar dhe dëbuar me dhunë nga vendi.

Mirëpo komisioni hetimor nuk mendon njëlloj me kryeministrin dhe prezantoi disa dokumente, të cilat provojnë sipas tyre të kundërtën. Mbledhja u karakterizua nga debati i vazhdueshëm mes kryetarit Spaho, Jorida Tabakut, Gent Strazimirit nga njëra anë dhe kryeministrit Rama nga ana tjetër.

 

 

Pin It