Kosova në festivalin ndërkombëtar të koreve “Nancy Voix du Monde” në Francë

Kori i qytetit të Pejës “Siparantum Choir” do të jetë pjesë e festivalit ndërkombëtar të koreve botërore “Nancy Voix Du Monde 2018”, që do të zhvillohet nga 9-13 maj në Francë.

Kori do të shfaqë disa koncerte si në Temple à NANCY, la salle Erkman à LUNEVILLE, Grand Salon de NANCY dhe Place Stanislas à NANCY, ku në këtë mbrëmje do të paraqiten bashkë me shtetet si; Algjeria, Gjermania, Argjentina, Bullgaria, Kili, Ekuadori, Filipinët, RD e Kongos, R. Çeke, Zvicra, Ukraina etj.

“Për këtë program ne jemi duke punuar gjatë dhe intensivisht dhe ja mundi u shpërblye. Edhe pse kori është formuar vitin e kaluar kemi bërë një punë të madhe dhe e gjithë kjo në baza vullnetare vetëm për të pasuruar kulturën dhe vlerat tona. Për këtë gjë i jam falënderues gjithë atyre që na kanë përkrahur drejt qëllimeve tona artistike. Shpresoj që do të kthehemi me paraqitjet tona më të mira nga Franca”, shprehet presidenti i korit Fatmir Bajraktari.

Kori Siparantum do të prezantohet me me vepra të kompozitorëve të njohur botëror dhe vendor si; ëhitacre, Bartolucci, Runestad, Gjeilo, M. Mengjiqi, K. Aliçkaj, D. Zeqiri-Nushi, M. Kelmendi etj.

“Është kënaqësi për mua si dirigjent të jem pjesë e këtij eventi shumë të rëndësishëm ku shteti ynë Kosova paraqitet për herë të parë në këtë festival. Ne do të paraqitemi me vepra të repertorit të ndryshëm duke përfshirë po ashtu vepra të kompozitorëve të njohur botëror dhe qëllimi kryesor është paraqitja e motiveve dhe vlerave tona kombëtare në këtë festival”, thotë dirigjenti i korit Memli Kelmendi.

Ai thekson se “ndjehem krenar që shoh flamurin e Kosovës në mesin e shteteve të botës. Për ne si shtet është një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore”.

Artistët e korit “”Siparantum Choir” janë; Agron Shujaku, piano; Matej Karaqi, vokal; Arita Bajraktari, soprano dhe piano; Bleona Leka, piano; Rexhë Dobrunaj, bas dhe bariton; Erjon Palucaj, vokal ; Luan Sapunxhiu, gitarë ; Rizah Jahaj, tenor; Blerina Zeka, flaut; Durim Jasharaj, fagot.

Pjesëmarrja e shtetit të Kosovës në këtë festival është ndjekur edhe nga media të shumta franceze./ATA/

Pin It