Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe përfaqësuesja e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, nënshkruan sot marrëveshjen për qasjen e Kosovës në programet e BE-së.
Ministri Hoxhaj e cilësoi marrëveshjen si një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm, pasi me nënshkrimin e saj Kosova do të përfitojë qasje në programe dhe projekte konkrete, nga të cilat mund të përfitojnë sektori privat, sektori publik, shoqëria civile, institucionet akademike dhe qytetarët e Kosovës.
“Programet kanë fushëveprimtari të ndryshme si hulumtimi dhe inovacioni, energjia dhe transporti, shëndetësia, kultura, arsimi, sporti, rinia, zhvillimi i ndërmarrësisë dhe konkurrencës, mbrojtja e ambientit, punësimi, politikat sociale e shumë fusha të tjera”, ka thënë Hoxhaj.
Republika e Kosovës vazhdimisht ka shprehur interes të marrë pjesë në këto programe, dhe në vitin 2009 për herë të parë Komisioni Evropian rekomandoi që të shqyrtohet mundësia e Marrëveshjes Kornizë me Kosovën.
Kjo është marrëveshja e dytë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së pas marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.