Kosova nuk ka akses tek pronat e saj në shtetet fqinjë

 

te-henen-publikohet-lista-e-uzrpatoreve-te-pronave

Më shumë se 180 prona të Kosovës ndodhen në shtetet e ish-Jugosllavisë dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka të vështirë t’i menaxhojë ato, sepse shtetet nuk e pranojnë autoritetin e AKP-së.

“Ne i kemi identifikuar mbi 180 prona që janë asete të ndërmarrjeve shoqërore,shumica e tyre gjenden në territorin e ish-Jugosllavisë. Ne, legjislacioni na obligon që t’i menaxhojmë, t’i administrojmë, sikurse pronat e tjera që gjenden brenda territorit të Kosovës. Mirëpo, se sa ne arrijmë t’i administrojmë këto, varen se sa pranon autoritetin e agjencisë sonë shteti përkatës”, tha Petrit Gashi, drejtor i Bordit të AKP-së.

Sipas një dokumenti të publikuar në muajin mars nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, vetëm në territorin e Serbisë gjenden 110 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi 36, në Bosnjë dhe Hercegovinë 18, kurse prona të tjera gjenden në Kroaci, në Maqedoni dhe në Slloveni.

Prej tyre, 17 prona i takojnë kombinatit metalurgjik “Trepça”. 11 asete të këtij gjiganti gjenden në Serbi, 3 në Bosnjë Hercegovinë dhe 3 në Kroaci. Por menaxhimi i tyre ka qenë i pamundur sepse Beogradi zyrtar nuk e njeh autoritetin e AKP-së.

Ndërsa në Mal të Zi qasja në pronat e Kosovës është më e lehtë.

Gashi thotë se gjatë muajve në vijim do të ndërtohen mekanizma për të rritur mundësinë e qasjes në pronat e Kosovës që gjenden jashtë territorit të saj.

“Jemi duke menduar të krijojmë mekanizma të veçantë brenda AKP-së, që të trajtojmë këto asete, sepse janë prona të Kosovës. Dhe më pas të bashkëpunojmë edhe me instancat e tjera, konkretisht më Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka thënë Gashi.

Pin It