Legalizimet, 977 pronarë subjekte fitojnë të drejtën e pronësisë

PRONAT_1-640x412

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e radhës ditën e mërkurë kalimin e të së drejtës së pronësisë në favor të subjekteve përfituese për 977 parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara. Për këta qytetarë ky veprim do të thotë që ata do ta zotërojnë përfundimisht me të drejta të plota objektin e ndërtuar pa marrë më parë leje dhe Hipotekat do t’i njohin ata si pronarë, të objektit, por edhe të truallit mbi të cilin ai është ngritur.

Në ato raste, kur pronar i truallit janë qytetarë të tjerë, në përputhje me ligjin për legalizimet, qeveria ka vendosur kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej ndërtimeve pa leje. Por në shumë raste të tjera pronar i truallit rezulton shteti. Kalimi i së drejtës së pronësisë të objekteve në fjalë kryhet në tetë qarqe.

Për Qarkun Elbasan (Elbasan, Librazhd dhe Gramsh), numri i parcelave ndërtimore është 113, me sipërfaqe të përgjithshme 30.587 m².

Për Qarkun Kukës (Tropojë dhe Has), numri i parcelave ndërtimore është 106, me sipërfaqe të përgjithshme 34.175 m².

Për Qarkun Shkodër (Shkodër) është 15, me sipërfaqe 4.915 m².

Për Qarkun Korçë (Korçë, Devoll dhe Kolonjë) është 12, me sipërfaqe 3.486 m².

Për Qarkun Durrës (Durrës) është 530, me sipërfaqe 181.197 m².

Për Qarkun Tiranë (Tiranë dhe Kavajë) është 140, me sipërfaqe 37.115 m².

Për Qarkun Gjirokastër (Gjirokastër, Përmet dhe Tepelenë) është 58, me sipërfaqe 13.715 m².

Për Qarkun Berat (Berat), numri i parcelave ndërtimore është dy, me sipërfaqe të përgjithshme 338 m².

Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, masa e këtij kompensimi është 14.548,8 m². Vlera totale e kompensimit financiar është 180.127.544 lekë. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë.

Pin It