Kosovë- Ismail Kadare nderohet me çmimin ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”

Shkrimtari i madh Ismail Kadare u nderua sot në Prishtinë, me çmimin ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”, në një ceremoni të organizuar në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në kryeqytetin e Kosovës.

Çmimi për kontributin e madh të dhënë për letërsisë shqipe dhe atë botërore, iu dorëzua shkrimtarit Kadare nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.

Në fjalën e tij para të pranishmve pas marrjes së çmimit, Kadare tha se “jam i lumtur të marr këtë çmim , pasi ka një simbolikë të veçantë për mua”.

“Falënderoj Kosovën dhe lexuesit e mi të Kosovës, tha shkrimtari i nominuar për çmimin Nobel, duke e konsideruar veten të nderuar me këtë çmim.

“Me besoni ky çmim i dhënë nga Kosova ka kuptim më tepër se një çmim për mua dhe më jep kënaqësi më shumë se çdo çmim tjetër. Jam i lumtur kur mendoj që po e marr çmimin në Bibliotekën e Kosovës, në mbretërinë e lexuesve”, u shpreh Kadare.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”,  Fazli Gajraku theksoi se ka ardhur koha që në  historinë e Kosovës të ketë vend të privilegjuar për librat dhe Ismail Kadarenë.  “Për lexuesit e Kosovës, Kadareja është shkrimtar i zemrës. Kadare është autor që nuk është braktisur asnjëherë”, tha Gajraku.

Ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, në konsultim me Këshillin e Librit, në 29 mars të këtij viti vendosi që Çmimi Ndërkombëtar “Letërsia Shqipe” t’i jepet shkrimtarit Ismail Kadare. Ky çmim i veçantë jepet për personalitet, të cilët me veprën e tyre, kanë ushtruar një ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë, ngritjen dhe vetëdijesimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, me theks të veçantë, përmes fushës së letërsisë, duke ndikuar kështu në njohjen e saj në përmasa ndërkombëtare. Çmimi në fjalë ka vlerë monetare 10 mijë euro dhe u jepet personaliteteve, shtetas të Republikës së Kosovës, Shqipërisë, apo ndonjë shteti tjetër, që kanë dhënë kontribut të çmuar për letërsinë shqipe.

Ismail Kadare, shkrimtar i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm , kandidat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që e bëri të njohur në gjithë botën, në “Daullet e shiut”, veprat e tij më të zhytura në natën e legjendës ballkanike janë , “Kush e solli Doruntinën” apo “Ura me tri harqe” apo ato me frymëzime të së tashmes si “Tri këngë zie për Kosovën”.

Në vitin 1996 , Kadare u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man Booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka fituar Çmimin “Jeruzalemi” për vitin 2015. Ai u konsiderua me këtë rast shkrimtari që i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij.

Në 13 maj 2016 , Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi shkrimtarit të shquar “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”./ATA

Pin It