KQZ e miraton, ndarja e re e mandateve për zgjedhjet 2017

kodi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të shtunën ndarjen e re të mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet parlamentare 2017.  Sipas vendimit të KQZ-së 140 mandatet e Kuvendit do të ndahen në 12 zona, sipas qarqeve.

Kështu ka ndryshuar numri i mandateve për qarqet e Kukësit, Korçës, Beratit dhe Tiranës. Konkretisht Kukësi, Korça dhe Berati do të kenë nga një mandat më pak, të cilët do i shtohen dy Tiranës dhe një Durrësit.

Eksperti përfaqësues i Partisë Demokratike në KQZ, Ivi Kaso, kërkoi verifikim të popullsisë së qarqeve, në mënyrë që ndarja e mandateve të sigurojë perfaqësim të barabartë të zgjedhësve.

“Ne nuk paragjykojmë asnjë trevë apo qark, por një verifikim i thelluar i numrit të lindjeve dhe vdekjeve, duhet bërë para miratimit të listës përfundimtare të zgjedhësve”, tha eksperti Kaso.

Ndërsa kryetari Denar Biba tha se KQZ, si organ juridik, nuk ka kompetenca për të bërë një verifikim të tillë.

Vendimi i KQZ-së është hartuar bazuar tek të dhënat e përcjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile(DPGJC) per numrin e përgjithshëm të shtetasve shqiptarë dhe atyre për çdo qark. Nga llogaritjet i takon të jenë rreth 31 mijë e 600 shtetas për çdo mandat.

1.Zona zgjedhore qarku Berat 7 mandate
2.Zona zgjedhore qarku Dibër 6 mandate
3.Zona zgjedhore qarku Durrës 14 mandate
4.Zona zgjedhore qarku Elbasan 14 mandate
5.Zona zgjedhore qarku Fier 16 mandate
6.Zona zgjedhore qarku Gjirokastër 5 mandate
7.Zona zgjedhore qarku Korçë 11 mandate
8.Zona zgjedhore qarku Kukës 3 mandate
9.Zona zgjedhore qarku Lezhë 7 mandate
10.Zona zgjedhore qarku Shkodër 11 mandate
11.Zona zgjedhore qarku Tiranë 34 mandate
12.Zona zgjedhore qarku Vlorë 12 mandate

 

 

Pin It