Ksamili po pajiset me rrjet të ri të kanalizimeve, i cili do të përmirësojë situatën në këtë zonë turistike duke ulur ndotjen e ujërave të bregdetit.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, dhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Ardian Alushi, inspektuan nga afër punimet në kantierin e ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve në zonën turistike të Ksamilit.
Dervishaj theksoi se kjo vepër do të sjellë një impakt shumë pozitiv për këtë zonë turistike të vendit, pasi do të shërbejë edhe gjatë sezonit të fluksit të turistik.
“Ky projekt që financohet nga fondet “IPA”, do ti shërbejë rreth 4 mijë banorëve rezident në Ksamil, por ka një kapacitet përpunimi për 40 mijë banorë, gjatë sezonit turistik”, tha Dervishaj.
Ai deklaroi se janë marrë masat e nevojshme që të mos ketë ndotje të bregdetit dhe të mjedisit.
Rrjeti kanalizimeve të Ksamilit, do të lidhet me impiantin e Sarandës, dhe pritet të sjellë përmirësim rrënjësor të sistemit të kanalizimeve në zonën turistike. Projekti është në fazën përfundimtare dhe pritet që të përfundojë brenda muajit nëntor.