Kumbaro: Gjirokastra të shfrytëzojë markën UNESCO, 12 vjet në mbrojtje

Në ambientet e Kalasë së Gjirokastrës u prezantua gjatë fundjavës së shkuar, përfundimi i projektit për riorganizimin e hapësirës së blertë ku ishin të ekspozuar topat e periudhës OTOMANE si dhe riekspozimi i këtyre të fundit në të tjera kushte estetike, më cilësore dhe në përshtatje me kohën dhe tipin e këtij lloj armatimi.

Projekti, që u realizua në bashkëpunim me Korpusin e paqes dhe CHwB Albania, përkonte edhe me 12-vjetorin, ditën e përfshirjes së qytetit në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar me këtë rast, morën pjesë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtoresha e Korpusit të Paqes për Shqipërinë, Kate Becker, drejtoresha e CHwB Albania,  Lejla Hadžić, kryetari i Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës, Armand Hilaj, kandidatja për deputete, Artemisa Dralo, ekspertë të trashëgimisë si dhe mjaft të ftuar të tjerë.

Në fjalën e saj, Kumbaro u shpreh se “Gjirokastra duhet të shfrytëzojë markën si qytet i mbrojtur i UNESCO-s. Gjirokastra nuk mund të ketë tjetër mundësi zhvillimi , përveçse kombinimit të potencialit të trashëgimisë kulturore me potencialin ekonomik të zhvillimit. Sot që flasim kemi arritur në numrin e 22 mijë vizitorëve në kala, rreth 3000 vizitorë më shumë, krahasuar me një vit më parë”.

Më tej, ajo vuri në dukje se ky qytet është kthyer tashmë në një kantier ndërtimi, me synimin që të kthehet në kryeqendër të turizmit. “Vetëm një javë më parë Sesioni 41-t i Komitetit të Trashëgimisë Botërore miratoi pa vërejtje progres-raportin e paraqitur nga Qeveria shqiptare për Qendrat Historike Berat e Gjirokastër”, tha ajo.

Nga ana e tij, Drejtori i DRKK-së, Gjirokastër, Albert Kasi vlerësoi bashkëpunimin me Korpusin e Paqes dhe Trashëgiminë Kulturore Pa Kufij, nga ku theksoi se vetëm bashkëpunime të tilla mund të realizojmë projekte që do të rrisin vlerat e artifakteve të kalasë dhe magjinë e saj.

Shteti shqiptar ka ndërhyrë në një numër  objektesh në Gjirokastër dhe në Berat, si dhe ka ngritur disa operacione financiare me vlerë të lartë siç është projekti i restaurimit të Qafës së Pazarit me Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, i cili kap shifrën e rreth 3 milion eurove, marrëveshja me Bankën Botërore për Beratin dhe Gjirokastrën.

Imazhi i ri turistik i Gjirokastrës do të rritet me rikonstruksionin e fasadave të godinave në pjesën e poshtme të qytetit. Ky projekt vjen si një bashkëpunim i qeverisë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i financuar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, në vlerën e rreth 200 milion lekëve. Ai synon rehabilitimin e fasadave të 140 godinave të ndërtuara përpara viteve 90-të. /z.t /ATA/

Pin It