Lamtumirë Ramazan!

Nga Dorian Demetja

“Gjithçka që është në tokë është kalimtare, mbetet vetëm Zoti yt, i Lartë dhe Fisnik” (Rahman, 26-27)

Shkoi edhe muaji më i dashur dhe miku më i njohur – Ramazani. Muaji i agjërimit, i mëshirës dhe i lutjeve. Muaji i shpalljes së Kur’anit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe favori hyjnor.

A nuk ishe në mesin tonë deri para disa momenteve?! A nuk ishe gjallërim e zbukurim i jetës dhe xhamive tona?! I vizitonim të afërmit dhe miqtë, përgatisnim iftare, kërkonim falje për mëkatet, bënim lutje, adhurim… Në gjithçka ndihej një gëzim i fshehtë; në shtëpi, në njerëz, në rrugë, në natyrë. E ku është tani?

Ah sa mysafir i mirë dhe i vërtetë!!! Asnjë vit, nuk na harron.

Na mundësove o Ramazan që një e mirë e jona në këtë muaj, të jetë e barabartë me një obligim në muajt e tjerë dhe një obligim të jetë shtatëdhjetë herë më i vlefshëm se i njëjti në muajt e tjerë. Na mundësove që frymëmarja jonë të jetë lavdi dhe fjetja lutje.

Na mundësove që të njihemi më gjerësisht me Kur’anin dhe na tregove se në fjalë askush nuk mund të jetë më i saktë se Allahu. Na njoftove se Kur’ani është burimi i diturisë dhe udhëzues për çdo njeri.

Edhe për ne shqiptarët, ishe i mirëseardhur sepse na ofrove durim, bekim, pastërti e njohuri të pafund. Na bëre me dije se në Kur’an është dituria, mençuria, pasuria e pafund dhe e vërteta absolute. Na tregove se ai është shërues shpirtëror, trupor dhe nervor i njeriut.

Ishe prej atyre që së pari na ftove ata të agjërojmë, të mbjellim virtytin e dashurisë dhe të largojmë nga zemrat e tyre ligësitë, zilinë, smirën, hidhërimin, inatin, gjakënxehtësinë etj. Pastaj, na ftove që të bëhemi personalitete; të sinqertë, të butë, të mëshirshëm, të pastër duke na bërë të heqim dorë nga punët e ndaluara. Na mësove të duam njëri-tjetrin për hir të Allahut dhe na bëre të kuptojmë më thellë se ç’është vëllazërimi islam.

Ramazani na shërben neve për të fuqizuar dashurinë tonë ndaj Zotit, ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj atdheut. Krahas popujve të tjerë edhe ne shqiptarët kemi nevojë për prehje shpirtërore, për pastrim shpirtëror, për qëndrueshmëri, durim, mbisundim të epsheve, për stabilitet, drejtësi, barazi e marrëdhënie të mira të mbështetura në parimet e Ramazanit.

Drejtimin që morëm në Ramazan, suksesin e sjelljeve dhe jetën e përparuar fetare që arritëm, është e nevojshme t’i vazhdojmë më tej. Kështu pra, duke i dhënë lamtumirën Ramazanit, është shumë gabim që t’u japim lamtumirën edhe xhamisë dhe adhurimit ndaj Allahut. Me begatinë dhe vrullin që morëm nga ky muaj i bekuar, ndërsa çdo ditë këpusim nga një fletë prej kalendarit tonë dhe largohemi prej botës së vdekshme, duhet që, duke u lartësuar shpirtërisht, të përgatitemi për t’iu afruar edhe më shumë Allahut, për të arritur tek Ai, për të dalë në audiencë para Tij! Po qe se ditët tona do t’i kemi të njëjta me njëra-tjetrën, po të mos përparojmë çdo ditë sadopak në jetën fetare, do të thotë se gënjejmë veten. Duhet medoemos që çdo ditë të përparojmë vijimisht drejt përjetësisë, në raport me të shkuarën duhet të jemi më të përgatitur e më të fuqishëm.

Mbetet të themi se Allahu nuk është nevojtar për adhurimin e askujt. Adhurimet, lufta me nefsin, egon dhe armiqtë tanë të tjerë, janë për ne, për formimin tonë dhe për jetën tjetër, që është prespektiva e përjetshme! Nuk ka rrugë tjetër për t’u formuar dhe për t’iu afruar Allahut. Fjalë të tilla si “unë nuk falem, nuk jam fetar, por zemrën e kam të pastër”, janë retorikë boshe që s’shprehin asgjë, madje edhe ai që i thotë vetë nuk i beson. E vetmja rrugë e drejtë që të çon te Zoti, është “të besosh” dhe “të veprosh”. Të tjerat që mbeten janë dredhi e djallit, gënjeshtër e egos…

Tashmë po dalim nga Ramazani me fuqi, energji dhe vullnet të akumuluar për pjesën e mbetur të vitit. Jemi më të bindur dhe e ndiejmë veten më të përgatitur shpirtërisht, psiqikisht, moralisht dhe të mobilizuar e të gatshëm për Ramazanin tjetër.

/Drita Islame/

Pin It