Letër fëmijëve të mi në ditën e parë të shkollës

school-chalkboard

Të dashur Olivia dhe Evan,

Teksa hapa sytë këtë mëngjes, mendimi se ju do të filloni një vit të ri shkollor në një shkollë të re sot më shtangu për një moment. Sot ju nisni një kapitull të ri në jetët tuaja dhe teksa përshkonim rutinën e mëngjesit, mendova qa shumë gjëra që do të doja t’ua thoja. Gjërat që i kam thënë në të gjitha bisedat që kemi bërë deri në këtë ditë, por si nënë që jam ndiej nevojën t’i përsëris në rast se nuk më keni dëgjuar herën e parë.

Teksa hyra qetësisht në dhomën tuaj dhe butësisht ju putha për t’ju zgjuar – doja t’ju thosha se e di si është të jesh nxënësi i ri. E kuptoj shqetësimin tuaj nëse do të arrini të krijoni miqësi të reja. Më besoni do t’ia dilni.

Teksa ju fërkuat sytë dhe shtriqët trupat tuaj të vegjël – desha t’ju them se e kuptoj shqetësimin tuaj për të gjetur rrugën si në aspektin fizik edhe në atë social. Gjithë jetën do të përpiqeni të gjeni rrugën e duhur, vetëm mos u dorëzoni.

Teksa qëndroja tek dera e banjës ndërsa ju lanit dhëmbët – desha t’ju them se disa herë të qenët nxënësi i ri është disavantazh thjesht sepse je i ri, por pikërisht fakti që je i ri është ndonjëherë avantazh në vetvete. Përqafoni aventurën.

Teksa ju përgatisja rrobat – desha t’ju thoja se si nxënes të rinj që jeni, nxënësit e tjerë do të tërhiqen nga ju. Disa prej tyre nuk do t’ju pranojnë. S’ka problem, ata humbin.

Teksa ju paketoja drekën – desha t’ju them ta shihni pozitivisht këtë përvojë të re sepse, pavarësisht se eshtë pak e çuditshme dhe e frikshme tani, shpejt do të kthehet në rutinë dhe e zakontë. Është rrethi i jetës.

Teksa ju vendosa një shënim në kutinë e ushqimit të drekës, traditë në familjen tonë – desha t’ju them të përpiqeni të mos dukeni kaq nervoz. Ndonjëherë akti i thjeshtë i një buzëqeshjeje mund të bëhet fillimi i një miqësie të bukur. Thuhet se një foto vlen sa një mijë fjalë. Unë besoj se një buzëqeshje vlen po aq.

Teksa ju u ulët në kuzhinë për të ngrënë mëngjes – desha t’ju them se nëse gjatë ditës do të ndiheni ndonjëherë në vështirësi, vetëm merrni frymë thellë. Do të habiteni sa shumë mund të ndihmojnë disa frymëmarrje të thella.

Teksa ju ndihmova të lidhnit këpucët – desha t’ju kujtoj se ju duhet vetëm një shok i mirë. Cilësia e mund sasinë.

Teksa ju vendosa çantat e shpinës në supat tuaj të vegjël – desha t’ju them se zemra ime është e copëtuar midis dëshirës për t’ju mbajtur në shtëpi gjithë ditën, ku mund tju dua dhe mbroj dhe dëshirës për t’ju dërguar të përjetoni përvoja të reja që nuk ua ofroj dot.

Teksa hipëm në makinë – desha t’ju them se mbrëmë u luta që ata me të cilët do t’ju ndërthuren rrugët sot t’ju shohin ashtu siç ju shoh unë – të zgjuar, të mirë, të dashur, të qeshur, krijues. Më e rëndësishmja, shpresoj që ju ta shihni veten siç ju shoh unë.

Teksa ju lidha rripat e sigurimit – desha t’ju them se jo çdokush do ketë të përbashkëta me ju. Përqafoni të ndryshmen. Ndoshta për habinë tuaj mund edhe t’ju pëlqejnë.

Teksa rregullova pasqyrat e makinës dhe ju hodha një shikim juve në sediljet e pasme – desha t’ju them se duhet të jeni të duruar me veten dhe të tjerët. Koha ka mënyrën e saj të rregullimit të gjërave nga më e thjeshta tek më e rëndësishmja.

Teksa dolëm në rrugë – desha t’ju them të mos keni frikë nga gjërat e reja. Kjo është e bukura e një faqeje të re të bardhë.

Teksa i jepja makinës drejt shkollës – desha t’ju them të tregoheni të vëmendshëm kur flet mësuesja, kur dikush tregon diçka për veten etj. Të dëgjuarit është një aftësi që do t’ju nevojitet më vonë në jetë.

Teksa po parkoja – desha t’ju them të ndiqni udhëzimet e nevojshme, por gjithashtu të shprehni veten. Nuk bën gabim nëse shprehesh.

Teksa dolët nga makina ju dhashë nga një puthje dhe përqafim secilit dhe ju thashë – “Jini vetvetja dhe mos harroni se sa shumë ju dua. Mezi po pres të dëgjoj gjithë përvojat tuaja pasdite.”

Kuptova se kjo ishte gjithçka që ju kishit nevojë të dëgjonit.

Me dashuri, mami.

Leah Vidal

Pin It