LIBRI DHE KULTURA – Gëzim Tushi sjell “Gratë në kohën e tyre”

Emisioni i kësaj jave “Libri dhe Kultura” iu dedikua totalisht gruas. Nën titullin “Gratë në kohën e tyre “, prof. Gëzim Tushi solli librin që trajton konceptin e shoqërisë për femrën nën një optikë të përgjithshme.

Në libër flitet për demokratizimin e familjes si një pjesë e evolucionit familjar shumë të rëndësishëm. Familja shqiptare ka kaluar etapa të ndryshme në të cilat ka tentuar t’i japë gruas vendin e “duhur” në shoqëri.

Koha e komunizmit e trajtoi gruan si krahë pune, pra e përdori për nevoja ideologjike, ashtu siç ndodh edhe sot duke maskuar realitetin. Demokratizimi i familjes do të thotë anëtarë të së njëjtës familje parë në rrafshin horizontal, pra me të drejta të barabarta. Në fakt familja sot nuk është në nivelet e duhura, nëse marrim parasysh dhunën ndaj femrës, numrin në rritje të divorceve etj. Demokratizimi i familjes nuk i ka dhënë efektet e duhura akoma, sepse gratë po mbingarkohen me më shumë detyra, punojnë dhe garojnë krahas burrit për vendin e punës apo dhe aktivitete të tjera.

Gruaja vetë nuk di ta trajtojë vetveten, marrim shembull 8 Marsin, i cili ka humbur kuptimin fillestar. Turmëzimi i këtyre festave e dëmton imazhin e femrës, kjo është vëtëm dukja jo thelbi. Gruaja kthehet sërish në po atë familje dhe bën po të njëjtën jetesë.

Në shoqërinë shqiptare perceptimi i dhunës ndaj femrës është jo i drejtë. Trashëgojmë një mentalitet maskilist ndaj dhunës. Duke u rikthyer tek divorci, i parë si emancipin por dhe si kazmë që i vihet martesës, prej tij vijnë pasoja të jashtëzakonshme negative, që i vuajnë së shumti fëmijët. Divorcet në Shqipëri nuk janë të paqta. Për më tepër ndiqni intervistën e realizuar në studion e Radio Spektrum.

Pin It