Lidhja midis dhimbjes së kyçeve dhe vranësirave

Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se nëse ju dhembin kyçet, pritet ndryshim i kushteve klimatike. Studimet e fundit na kanë vërtetuar se ky është thjeshtë një mit.
Shkencëtarët kanë dalë në përfundimin që nuk ka asnjë lloj lidhje mes lagështirës, ajrit të ftohtë dhe dhimbjeve fizike.

Dy studime të reja australiane tregojnë se sapo del dielli, ata që deri para pak janë ankuar për kockat, e harrojnë në sekondë dhimbjen.

Në studim u përfshinë rreth 1000 vetë me dhimbje mesi dhe rreth 350 të tjerë me osteo-artrit të gjymtyrëve të poshtme. Gjithashtu u morën në konsideratë edhe opinionet e specialistëve të Byrosë Australiane të Meteorologjisë.

Kërkuesit krahasuan kushtet e motit në momentin e parë kur pacientët njoftuan për dhimbjet e tyre, me kushtet e motit një javë dhe një muaj përpara kësaj periudhe. Ata zbuluan se nuk ka asnjë lidhje mes dhimbjes së mesit apo gjymtyrëve me temperaturën e ajrit, lagështirën, presionin atmosferik, drejtimin e erës apo reshjet. Gjithsesi, u vu re se rritja e temperaturës rriste disi mundësitë për dhimbje mesi; rritje kjo e parëndësishme në aspektin klinik.

Profesor Chris Maher, nga “George Institute” në Sydney, tha: “Besimi se sapo nis të prishet moti, na shtohen dhimbjet e kockave, daton që nga koha e Romës së lashtë. Por sipas kërkimeve tona, kjo mund të jetë diçka që ka të bëjë me kujtesën dhe psikologjinë humane.

Njerëzit janë qenie shumë të ndjeshme, ndaj është e lehtë të kuptosh se ne fiksojmë kryesisht momentet e dhimbjes që përkojnë me ditët me shi apo me ditët e ftohta”.

Dhimbjet e mesit prekin të paktën një të tretën e popullsisë botërore një herë gjatë jetës së tyre, ndërkohë që 10 % e meshkujve dhe 18 % e femrave mbi moshën 60-vjeçare vuajnë nga artrite të ndryshme.

Pin It