Kuvendi po shqyrton një projektligj të ri për arsimin dhe formimin profesional (AFP), i cili synon modernizimin e këtij sistemi arsimor përmes ndërthurjes së teorisë dhe praktikës. Projektligji i jep përparësi bashkëpunimit me komunitetin e biznesit për të përgatitur të rinjtë sipas kërkesave të punëdhënësve dhe për t’i afruar ata me tregun e punës.
Drafti, i hartuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, është në përputhje me programin e ri të qeverisё, qё do tё riorientojë arsimin dhe formimin profesional drejt nevojave reale tё tregut.
Reforma në AFP do të bazohet nё eksperiencёn e sistemit dual gjerman, qё karakterizohet nga njё ndёrthurje e mёsimit teorik me punёn praktike.
Ligji i ri, i organizuar në 35 nene, mes te tjerash parashikon krijimin e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (sot Shërbimi Kombëtar i Punësimit), e cila do të merret dhe me administrimin e sistemit të arsimit e të formimit profesional. Pr/ligji parashikon kompetencat e ministrisë përgjegjëse për AFP-në si institucioni që realizon programin qeverisës në këtë fushë, ku ndër kryesoret janë: hartimi i politikave në fushën e AFP-së si dhe monitorimi i zbatimit të tyre; garantimi i cilësisë në sistemin e AFP-së; sigurimi i burimeve të nevojshme njerëzore, financiare e logjistike, etj.
Institucionet ofruese të AFP-së në Shqipëri janë: shkollat e mesme profesionale; qendrat shumëfunksionale; institucionet e specializuara të AFP-së për grupet e veçanta; kompanitë; institucionet e tjera të licencuara, etj.