Ligji i ri, ish-pronarët, ja si do ta marrin kompensimin në lekë

131113111823nilaya-full-1

Nga sot kanë hyrë në fuqi formularët e rinj të cilët do përdoren për të marrë kompensimin ish pronarët. Të katër formularët gjenden pranë zyrave të Agjencisë së Trjatimit të Pronës. Por si merret kompensimi me ligjin e ri?

Regjistri
ATP-ja krijon regjistrin e vendimeve përfundimtare që njohin të drejtën e kompensimit të pronës për subjektet e shpronësuara. Regjistri i vendimeve të kompensimit krijohet, ruhet, mirëmbahet, administrohet dhe përditësohet nga ATP-ja. Në këtë regjistër pasqyrohen mangësitë e dokumentacionit të administruar nga subjekti kërkues, i cili bëhet publik në faqen zyrtare të internetit të ATP-së. Subjektet e interesuara, brenda një afati 6- mujor, nga data e publikimit të regjistrit, duhet të plotësojnë dokumentacionin e munguar, të publikuar nga ATP-ja, të nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, si dhe mund të kontribuojnë e të plotësojnë informacionin e paraqitur në regjistër për vendimin përkatës. Në rastin kur konstatohen të meta nga subjekti apo ATP-ja, lidhur me informacionin e publikuar, regjistri përditësohet nga ATP-ja.

Gjatë procesit të vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare të kompensimit, nëse konstatohen të meta në dokumentacionin e nevojshëm për të kryer këtë vlerësim, atëherë këto të meta pasqyrohen në regjistër dhe publikohen në faqen zyrtare të internetit të ATP-së dhe në Buletinin e njoftimeve zyrtare. Subjektet e interesuara mund të plotësojnë të metat e publikuara brenda afatit 6-mujor, nga data e publikimit. ATP-ja, pas vlerësimit financiar të vendimeve, të cilat kanë njohur të drejtën për kompensim, publikon regjistrin sipas rendit kronologjik të datës së vendimeve. Në vendimet përfundimtare të kompensimit, ku është përcaktuar e drejta e parablerjes, subjektet kanë të drejtë të heqin dorë nga e drejta e parablerjes përkundrejt kompensimit, brenda një afati 1-vjeçar, nga data e publikimit të regjistrit.

PROCEDURAT E KOMPENSIMIT DHE SHPËRNDARJA E FONDIT FINANCIAR DHE FIZIK
Kompensimi i subjekteve fillon pasi vendimi i vlerësimit të pronës bëhet përfundimtar. Vlerësimit bëhet përfundimtar kur: a) ka kaluar afati i përcaktuar dhe nuk ka patur ankim; b) subjektet e interesuara dhe Avokatura e Shtetit deklarojnë që nuk do të bëjnë ankim; c) ka ankim dhe është përfunduar shqyrtimi në gjykatat e të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë. Subjektet, të cilët disponojnë një vendim përfundimtar të vlerësuar financiarisht, kanë të drejtë të aplikojnë për kompensim. ATP-ja vijon procedurat për kompensimin e subjekteve sipas rendit kronologjik, duke filluar nga vendimi më i hershëm dhe duke shqyrtuar e verifikuar dokumentacionin. Të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë bujqësore, pyll, livadh e kullotë përfitojnë kompensim fizik nga fondi i tokës.

Të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, përfitojnë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në masën 50 000 000 lekë dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës. Në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar për tokën truall rezulton se pjesa e mbetur është deri në 5% më e madhe se vlera 50 000 000 lekë, atëherë subjekti kompensohet për të gjithë vlerën, në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar rezulton se pjesa e mbetur është më e madhe se 5% mbi vlerën 50 000 000  lekë, atëherë subjekti, për diferencën mbi 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë, kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës. Kriteri për shpërndarjen e fondit të tokës për kompensim fizik është që ATP-ja të përzgjedhë pronën gjeografikisht më pranë pronës së njohur për kompensim. ATP-ja shqyrton dokumentacionin e subjekteve, duke verifikuar dokumentacionin e lëshuar nga institucionet që e kanë lëshuar atë. Në rastet kur ATP-ja vlerëson se për ekzekutimin e vendimit përfundimtar është i nevojshëm një hetim administrativ, atëherë ajo kryen procedurën hetimore administrative, sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative.

KËRKESAT E VEÇANTA PËR KOMPENSIM FINANCIAR
Të gjithë subjektet që kanë një vendim përfundimtar kompensimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij dhe llojit të zërit kadastral të pronës së vlerësuar, kanë të drejtë të aplikojnë pranë ATP-së me kërkesë të veçantë, ku shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht. Kërkesat e veçanta për kompensim financiar do të trajtohen sipas kësaj procedure: a) Nga çdo fond vjetor buxhetor i kompensimit financiar, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për kërkesat e veçanta të kompensimit financiar. b) Të gjithë subjektet kërkues, të cilët shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë, duhet të aplikojnë pranë ATPsë brenda vitit të çeljes së fondit vjetor buxhetor të kompensimit financiar; c) Pas aplikimit për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP-ja përgatit vlerësimin financiar të pronës, pavarësisht rendit kronologjik të vendimit; ç) Në rastin e disa aplikimeve për kompensim me kërkesë të veçantë do të zbatohet rendi kronologjik i datës së vendimeve për këto aplikime.

Subjektet që shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë do të përfitojnë kompensim nga ky fond, sipas kësaj procedure: a) Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 1 viti, atëherë ai përfiton 20% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere; b) Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 3 vjetësh, atëherë ai përfiton 30% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere; c) Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 5 vjetësh, atëherë ai përfiton 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Prioritet do të kenë aplikimet që kërkojnë të kompensohen financiarisht brenda 1 viti, nga kërkesat për kompensim brenda 3 apo 5 vjetësh.

KOMPENSIMI FIZIK ME PRONË SHTETËRORE
Në fondin e pasurive të paluajtshme, që mund të përdoren për kompensim fizik, bëjnë pjesë sipërfaqe toke, pronë shtetërore, të cilat nuk ushtrojnë funksion publik. ATP-ja mund të përdorë për kompensim fizik me pronë shtetërore pasuri, të cilat, në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, figurojnë në pronësi të shtetit dhe plotësojnë, të paktën, njerën nga kushtet e mëposhtme: a) Toka të ndodhet ndërmjet ose ngjitur pronave/pronës së kthyer me vendim përfundimtar administrativ apo gjyqësor; b) Toka të mos ketë asnjë funksion public. Toka të mos ketë vlerë më të madhe se sa vlerësimi i tokës së njohur për kompensim. ç) Toka, fizikisht, me vërtetimin e organit kompetent për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, nuk prek infrastrukturën apo ndonjë zhvillim publik të ardhshëm. Subjektet e interesuar, të cilët disponojnë një vendim përfundimtar që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, që të përfitojnë kompensim fizik, sipas këtij kreu, duhet të paraqesin: a) kërkesën për kompensim fizik me pronë shtetërore, pranë ATP-së; b) sipas rastit, vendimin përfundimtar të ishAKKP-së, ish-ZRKKP-së, ish-KKKP-së apo vendimin gjyqësor përkatës, që njeh të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, shoqëruar me planvendosjen e vendimit; c) vërtetim nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për statusin juridik të pronës që kërkohet, shoqëruar me kartelën e pasurisë dhe hartën treguese; ç) vërtetimin nga bashkia se sipërfaqja e tokës, sipas studimit dhe/ose gjendjes faktike, nuk ka funksion publik.

Pin It