Publiku artdashës ka mirëpritur operan e Giacomo Puccinit “Madame Butterfly”
Opera me dy akte e shfaqur mbrëmjen e djeshme në natën e tretë të saj në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit u duatrokit për rreth 20 minuta duke vlerësuar të gjithë artistët e orkestrës, korit, solistëve, dirigjentit Edmond Doko dhe regjisorit Nikolin Gurakuqi.
Opera “Madame Butterfly” u shfaq për gjatë tre netëve në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baltit, në 2-4 dhe 6 tetor.Në rolet kryesore interpretuan tenori Davide Sotgiu, i ardhur nga Italia dhe sopranoja Eva Golemi.
Puçini e zgjodhi subjektin e operës së tij të gjashtë pasi pa tragjedinë me të njejtin titull (Madame Butterfly) në korrikun e 1900 në teatrin Duka i Jorkut në Londër. Tragjedia me një akt e David Belaskos (David Belasco) ishte e frymëzuar nga një tregim i amerikanit Xhon Luter Long me titull Madam Butterfly, i shfaqur në 1898.
Pas fillimit në 1901, kompozimi vijoi me ndërprerje të shumta: orkestrimi nisi në nëntor të 1902 dhe u përfundua në shtator të vitit tjetër. Vetëm në dhjetor të 1903 opera mund të konsiderohet e plotë në të gjitha pjesët e saj.
Për realizimin e dramës Puçini u dokumentua pa pushim e deri në detaje mbi elemente të ndryshme orientale që i konsideroi interesante për t’i përfshirë. Në veçanti e ndihmoi një aktore e famshme japoneze dhe bashkëshortja e ambasadorit japonez në Itali e cila i përshkroi zakonet dhe traditat e këtij populli kaq magjepsës.
Pasi zbarkon në Nagasaki, Pinkerton (tenor), oficer i marinës së Shteteve të Bashkuara, për kreni dhe shpirt aventure martohet, sipas zakoneve të vendit, me një geishë 15-vjeçare të quajtur Cio-Cio-San që në japonisht do të thotë Zonja Flutur në anglisht Butterfly duke fituar kështu të drejtën për të refuzuar gruan edhe pas një muaji. Në fakt kështu ndodh dhe Pinkerton rikthehet në atdhe duke braktisur nusen e re. Por kjo e fundit, e ushqyer nga një dashuri përvëluese dhe ngulmuese, megjithëse vuan në pritjen e gjatë me fëmijën që lindi nga kjo martesë, vazhdon t’u përsërisë të gjithëve besimin e pashembur në kthimin e të dashurit.
Pinkerton në fakt kthehet pas tre vjetësh, por nuk kthehet vetëm: i shoqëruar nga një grua e re me të cilën është martuar rregullisht në Shtetet e Bashkuara. Ka ardhur për të marrë fëmijën, për ekzistencën e të cilit është vënë në dijeni nga konsulli Sharpless (bariton), për ta marrë me vetë në atdhe dhe për ta edukuar sipas zakoneve perëndimore. Vetëm para kësaj dëshmije Butterfly kupton: iluzioni i saj më i madh, lumturia e ëndërruar pranë njeriut të dashur është zhdukur plotësisht. Vendos të zhduket nga skena e botës në heshtje, pa zhurmë. Pasi përqafon e dëshpëruar djalin, vret veten me një thikë të dhuruar nga i ati.