Ministri Haxhinasto: humbjet në ujësjellësin në masën 67%

haxhinasto-1-655x356

Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ka prezantuar këtë të mërkurë disa pika kryesore të  reformës së ujit. Në një takim me Entin Europian të Ujit, Haxhinasto tha se Shqipëria prodhon mjaftueshëm uji por problemi qëndron në infrastrukturën e ujësjellës kanalizimeve pasi humbjet janë në masën 67%.

“Prodhojmë ujë të mjaftueshëm, por problem është rrjeti, pasi kemi 67 % te ujit që humbet. Reforma e ujit synon ndryshime institucionale. Cilësia e ujit është një pjesë e rëndësishme e reformës së ujit. Kemi shumë punë për të bërë, për të siguruar cilësi dhe për të shtuar furnizimin me ujë. Në këtë reformë do ishte mirë të merrnim eksperiencën më të mirë tuaj”, ka deklaruar ministri. “Në reformë – vijoi më tej Haxhinasto- ndër pikat kryesore është dhënia e më shumë kompetencave ndaj bashkive. Por edhe që duhet paguar për atë që harxhohet. Reforma lidhet edhe me burimet njerëzore dhe mënyra sesi menaxhohen ujësjellësit. Do kemi certifikim të punonjësve, pasi aktualisht në sistem kemi persona që s’janë nga fusha. Numri më i madh i të punësuarve janë roje.”

 Një ndër pikat e reformës që përmendi Haxhinasto ishte se duhet që tu jepet më shumë kompetenca bashkive të vendit për menaxhimin e ujit dhe se ajo që harxhohet duhet të paguhet.

Pin It