Ministri i Jashtëm rus: Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë përkeqësuar

sergei-lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara janë përkeqësuar. Kriza e Ukrainës, vendosja e NATO-s pranë kufijve ruse dhe politikat “rusofobe” janë sipas tij disa nga çështjet që kanë ndikuar.

Sipas Lavrov ndryshimi i marrëdhënieve midis dy vendeve është i njëanshëm dhe i iniciuar nga SHBA.

“Uashingtoni në mënyrë të njëanshme ka nisur të përkeqësojë marrëdhëniet me Moskën që përpara krizës së Ukrainës dhe tani është koha për ta pranuar se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pësuar ndryshime thelbësore”, tha Lavrov në një intervistë për televizionin rus Channel One.

Shefi i diplomacisë ruse tha se politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë është “rusofobia agresive”. Në këtë mënyrë ai mendon se SHBA po dëmton interesat kombëtare të Rusisë dhe po kërcënon sigurinë e saj.

“Afrimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s pranë kufijve tanë, vendosja e armatimeve të rënda nga SHBA dhe gjithashtu sanksionet janë një manifestim që do ta quaja armiqësor”, tha më tej Lavrov.

Pak kohë më parë Uashingtoni pezulloi negociatat me Moskën për rivendosjen e armëpushimit në Siri dhe fajësoi palën ruse për rolin e saj ushtarak Alepo. Nga ana tjetër Rusia anulloi programet e bashkëpunimit me SHBA në fushën bërthamore dhe energjitike.

Pin It