Ministri Tahiri: ” Shqiptarët kanë vullnet për të fituar kundër terrorizmit me vlera e besim.”

Saimir_Tahiri_241048

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, u ka dërguar letër dy redaksive të lajmeve, “Corriere TV” në Itali dhe britanikes në versionin online “Daily Mirror”.

“Jam i bindur që nuk jam i vetmi shqiptar që ndihet keq nga të pavërtetat që u pasqyruan, siç besoj se çdo italian apo qytetar i çdo vendi të botës që ka pasur mundësinë të njohë sadopak Shqipërinë, është ndier keq nga pasqyrimi thelbësisht i shtrembëruar i realitetit shqiptar në reportazhin tuaj”, -shkruan ministri.

Ministri thekson se fitorja më e madhe e terroristëve është krijimi i hijes së armikut edhe aty ku duhet të ketë besim, duke shkatërruar kështu mundësinë që qytetarët dhe shoqëritë tona të ndërtojnë solidaritetin e domosdoshëm të vlerave që duhet t’i kundërvihet të keqes së përbashkët.

“Në këtë rast, të pavërtetat e raportuara prej jush për Shqipërinë, duke shpikur shkolla për militantët e ISIS-it apo mbi 1000 rekrutë të paguar e të gatshëm për luftë, janë një tullë më shumë në murin e mosbesimit që na bën gjithmonë e më të paaftë për të fituar kohën që kemi humbur duke parë si kërcënim njëri-tjetrin, e kësisoj, të paaftë për të fituar kundër kërcënimit terrorist”,- nënvizon ministri i Punëve të Brendshme.

Ai shton se Shqipëria ka një popullsi me shumicë myslimane, por është verbëri të mjaftohesh me kaq për të imagjinuar rrezik terrorizmi në vendin tonë.

“Ndaj, i nderuar, më lejoni t’ju siguroj se shqiptarët krenohen me vlerat e çmuara të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, një shembull unik që veç krenarisë, ka rrënjosur tek çdo qytetar shqiptar vullnetin për të mos pranuar frikën dhe kërcënimin e terrorit, por kurajën e forcën për të ndërtuar bashkëpunimin me çdo shoqëri të lirë që luftën kundër terrorizmit e fiton më së pari me vlera e besim, pastaj me armë”, shkruan Tahiri.

Pin It