Misvaku, furça natyrale e dhëmbëve

Mijëra vite më parë misvaku është përdorur nga njerëzit dhe i është dhënë shumë rëndësi falë dobive të tij shëndetësore. Ai  nxirret nga rrënjët e drurit të misvakut që njihet edhe me emrin (Arakbaum, Salvadora Persica). Misvaku është një produkt tradicional për higjienën e dhëmbëve dhe të gojës për të cilën na ka këshilluar  i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem. Enesi r.a. transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Sa herë që Xhibrili më vizitonte, më këshillonte të përdorja misvakun.”

Ai (a.s) ka thënë: ”Sikur të mos mendoja se kjo do të ishte tepër e rëndë për pasuesit e mi, do të jepja urdhër që t’i pastronin dhëmbët me misvak para çdo namazi.”

Përdorimi i misvakut:

  • Para përdorimit, shpëlajeni misvakun me ujë që të zbutet pak.
  • Qëroni lëvoren e tij përafërsisht 1-2 cm në majë.
  • Përtypeni pak derisa të jetë formuar një lloj furçe në majë.
  • Sëbashku me dhëmbët pastroni dhe mishrat e tyre.
  • Fijet që thyhen gjatë pastrimit këputini.

Ruani misvakun në një vend të pastër dhe të thatë. Nëse fijet e misvakut janë bërë shumë të buta dhe të çara, ju mundeni thjesht ta prisni atë pjesë dhe të vazhdoni ta përdorni atë si më lart.

Pas 2-3 ditësh të përdorimit këshillohet që ta prisni pjesën e përdorur. Një dru i misvakut prej përafërsisht 15 cm. përdoret gati 4 javë, në varësi të përdorimit të tij.

Jo vetëm pastrimi mekanik, por edhe efekti disifektues e bëjnë misvakun një element të rëndësishëm për dhëmbë të shëndoshë.  Misvaku i jep gojës një aromë të këndshme. Është lehtësisht I përdorueshëm kudo si dhe masazhon mishin e dhëmbëve.

Ai gjithashtu parandalon formimin e pllakës dentare dhe gurëve, të cilët janë faktorët kryesorë në krijimin e problemeve të mishit të dhëmbëve dhe kariesit (prishjes së dhëmbëve).

 

 

Pin It