Monitorohet transporti urban, u vendosën 46 gjoba

urbanet-e1422954151623

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme kontrollin e linjave të transportit urban, për ofrimin e shërbimit në përputhje me kushtet e vendosura nga Bashkia e Tiranës. Drejtoresha e Përgjithshme e AMK-­së, Rudina Hoxha, në një prononcim për mediat, bëri të ditur se janë ngritur grupe kontrolli të cilat po punojnë me dy turne në terren, për të kontrolluar 12 linjat e transportit urban. Si rezultat i kësaj, ka pasur një përmirësim sidomos në respektimin e frekuencave në stacionet e autobusëve.

“Kontrolli është fokusuar në 10 kushtet e vendosura nga Bashkia e Tiranës. Janë kushte të cilat të gjitha shoqëritë e transportit që operojnë në territorin e Tiranës i kanë të mirëpërcaktuara në kontratat e tyre. Nga dita e djeshme deri në mesditën e sotme, inspektorët e AMK­-së kanë vendosur 46 gjoba”, u shpreh Hoxha. Ajo garantoi se për çdo shkelje të kushteve të vendosura janë marrë masat dhe gjobat përkatëse. “Në momentin e vendosjes së gjobës, inspektorët ua kanë komunikuar këto gjoba përfaqësuesve ligjorë të kompanive të transportit, me qëllim që t’u bëhet e ditur shkelja e vendosja e gjobës dhe njëkohësisht t’u lihen dhe afatet e caktuara, për të korrigjuar këto shkelje mbi bazën e sanksioneve të vendosura”, tha Hoxha.

Sanksionet e vendosura nga AMK janë të përcaktuara me nivelet përkatëse të tyre sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak të vitit 2012. “Pas gjithë kontrolleve që po bëhen, janë lënë afatet e caktuara dhe në rast se nuk janë respektuar afatet dhe korrigjimi i këtyre shkeljeve, fillon përshkallëzimi i gjobave me të gjitha nivelet e tyre. Bashkia e Tiranës është e vendosur në këtë monitorim”, deklaroi drejtoresha e AMK. Ajo tha se ky monitorim do të vijojë me këto ritme dhe rezultatet do të jenë transparente për opinionin publik.

Pin It