Galeria Kombëtare e Arteve do të hapë në një nga sallat e saj ekspozuese ekspozitën “Në Vendin e Shqiponjave, 2015 – 2017”, të fotografes franceze Virginie Caquot.
Ekspozita e Virginie Caquot organizohet nga Galeria Kombëtare e Arteve në bashkëpunim me Rezart Jasa, koordinator i marrëveshjes “Les temps forts entre l’Albanie et la France” në kuadër të shkëmbimeve kulturore Francë-Shqipëri, më datë 13 Tetor 2017, ora 18.00.
Artistja shprehet se “Fotografia ime është kryesisht intuitive, e udhëhequr nga situatat e zakonshme të përditshme të hasura gjatë udhëtimeve. Gjithashtu përpiqem që ajo të jetë estetike, poetike apo e çuditshme, sepse është gjuha e shprehjes time, reflektimi i emocioneve të mia dhe pres që ajo të shprehë më shumë sesa unë mund të them me fjalë. Ajo është një dialog vizual midis meje dhe spektatorit. Është në dorën e tij të zbulojë këto momente nëpërmjet këndvështrimit tim. Në këtë ekspozitë unë i jap spektatorit vizionin tim për Shqipërinë sot.”
Virginie Caquot është një fotografe e pavarur franceze nga qyteti i Lilës. Ajo ka mbaruar studimet për Histori-Gjeografi dhe Zhvillim Social në Universitetin e Lilës, dhe fillimisht ka punuar si mësuese. Nga 2012, Virginie Caquot ju kushtua krejtësisht fotografisë me të cilën është marrë prej 20 vjetësh. /ATA/